Vuçiq i hidhëruar ‘tërhiqet’ nga negociatat me Kosovën, tallet nga gjermanët

Transmetuesi publik gjerman Deutsche Welle, ka bërë një artikull ‘tallës’ për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me titull ‘Nuk të dëgjon kush? Vuçiq mos u zemëro kaq’, pasi ai ka vendosur që të paraqitet si i zemëruar pas kritikave që ka marrë për idenë e tij dhe të Thaçit për zgjidhje të problemit të Kosovës, përmes korrigjimit të kufijve. Këto kritika Vucic duket t’i ketë marrë kryesisht nga Gjermania e Angela Merkel.

Lajme

24/09/2018 12:07

Pas kësaj Vuçiq kishte heshtur idenë e korrigjimit të kufijve, dhe tani ka vendosur të e luaj të hidhëruarin e të mos shkojë as në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Më poshtë lexoni artikullin e plotë të transmetuesit publik gjerman Deutsche Welle:

Pse presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic ka refuzuar të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB? Dhe cilat janë shkaqet për zemërimin e tij?

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic ka vendosur që të fillojë një fazë të re në raportet me bashkësinë ndërkombëtare, që mund të quhet edhe si bojkotim i heshtur i Brukselit dhe Uashingtonit. Vendimin e ka marrë Vucici, por e ka publikuar udhëheqësi i zyrës për Kosovë Marko Djuric, i cili tha se Brukseli duhet të presë pak për vizitën e ardhshme të Vucicit atje. Ndërkohë që Vucic nuk do të marrë pjesë as në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Në Nju Jork do të udhëtojë kryeministrja Ana Brnabic.

Djuric shpjegoi se Vucici ka ofruar disa zgjidhje për çështjen e Kosovës, por atë e kanë kritikuar shumë për këto ide. Djuric tha se presidenti i Serbisë është përballur me heshtje, me distancim nga idetë e tij, e madje edhe “me sulme të tmerrshme”, ndaj Djuric tha se në Bruksel “tani do të presin edhe ca kohë deri sa Vucic të shkojë në takimin e ardhshëm”.

Pse është zemëruar presidenti?

Nëse zemërimi i presidentit të Serbisë Vucic ndërlidhet me idetë e tija për përkufizim me Kosovën, atëherë nuk dihet sakt; se për cilat sulme të bashkësisë ndërkombëtare e ka fjalën Djurici. Ideja për përkufizimin, ndarjen e territotreve apo shkëmbimin e tyre, nuk është pritur me ndonjë entuziazëm të madh në disa vende perëndimore, por është tërësisht e tepruar të thuhet se për këto ide Vucici “është përballur me sulmet më të tmerrshme”. Në disa vende ka pasur madje mirëkuptim për idetë e Vucicit.

Një numër i madh i diplomatëve evropianë ka bërë të ditur – ndonëse me shumë kujdes – se janë të pranueshme marrëveshjet që arrihen mes Prishtinës dhe Beogradit, e shikuar nga shkrimet e mediave serbe, më së paku kundërshtime për këto ide ka pasur në SHBA. Mediat serbe kanë bërë madje gara me shkrimet se administrata amerikane e ka ndryshuar qëndrimin dhe se ajo nuk ka asgjë kundër zgjidhjeve të cilat do të nënkuptonin ndonjë lloj ndarjeje apo përkufizimi.

Po pse është i zemëruar Vucici pra? Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane thotë se ” Vucici zemërohet tepër shpesh dhe ne shpesh nuk e dimë fare pse është zemëruar presidenti. Skenarë të ndryshëm për zgidhjen e çështjes së Kosovës janë paraqitur në opinion, por ne kurrë nuk kemi marrë ndonjë konfirmimim zyrtar se cili është propozimi i autoriteteve serbe. Ne vetëm dimë se Serbisë nuk i përgjigjet status quo-ja, që do të thotë se ajo angazhohet për përkufizim, korigjimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve – por përgjigjen e saktë nuk e kemi marrë kurrë”.

“Ndaj kam frikë se fjalët e Djuricit janë vetëm një truk për opinionin e brendshëm. Kjo duhet të bindë qytetarët serbë se Vucici ka bërë gjithçka brenda mundësive të tij, por bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme t’i pranojë kërkesat tona. Ndaj kur të vijë koha e nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve në referendum, sepse ndonjë zgjidhje tjetër nuk ka qenë e mundur”, mendon Beshiri.

Brukseli në akull

Gazetari i revistës NIN, Vladan Marjanovic thotë se Djurici shpesh tingëllon si një komik stend-up dhe si e tillë mund të konsiderohet edhe deklarata e tij. “Thuhet se Bashkimit Evropian do t’i jepet kohë e mjaftueshme që të kuptojë se sa ka gabuar ndaj Vuçiqit dhe qëndrimit të tij heroik për ‘zgjidhjen” e çështjes së Kosovës, ndonëse Vucici e ka pranuar në fjalimin e tij në Mitrovicë se ai nuk ka ndonjë zgjidhje. E kur BE ta kuptojë gabimin, atëherë Vucici do të mëshirojë dhe do të shkojë në bisedime. Ndërkohë autoritetet serbe do të bartin me krenari gjithë këtë mllef ndaj mosmirëkuptimit të ideve të Vucicit në Bruksel dhe Berlin”, thotë Marjanovic.

Është shumë e qartë që Djurici në këtë rast është vetëm bartës i fjalëve të Vucicit. Por duket qartë se Vucici është kaq i zemëruar me perëndimin sa që vendimin e tij e ka kumtuar dikush tjetër, e jo ai vet. Vladam Marjanovic thotë se me këtë vendim Beogradi sugjeron se “ka qenë i gatshëm për kompromise, por tani për një kohë të caktuar do të ketë qëndrime shumë të ngurta. Kjo nënkuton mundësinë e vazhdimit të mos zgjidhjes së çështjes së Kosovës – që sipas të gjitha gjasave është edhe qëllimi përfundimtar”.

Zemërimi është dëshmi i (pa)aftësisë

Aleksandar Vucic ka vendosur të mbaj inat me bashkësinë ndërkombëtare, por qytetarët e Serbisë më shumë janë të interesuar të dinë se çfarë mund të arrihet me këtë politikë dhe diplomaci. Ndoshta dikush në pushtetin serb ka menduar se autoritetet perëndimore do të shqetësohen dhe nuk do të flejnë të qetë pas zemërimit të Vuçiqit, por kjo dëshmon se diplomacia serbe është në një krizë shumë më të thellë sesa që mendohet. A mund të ketë me mjete të këtilla një zgjidhje më të mirë për Serbinë në çështjen e Kosovës?

Naim Leo Beshiri thotë se “me këtë sjellje infantile nuk mund të arrihet asgjë. E gjitha kjo është vetëm për përdorim të brendshëm, me qëllim që mbështetësit e Vucicit të mund të thonë se Vucici ka mundësi që të zemërohet me dikë dhe të mos flas me ta. Asgjë pozitive nuk mund të ketë nga refuzimi i bisedimeve, sepse pa bisedime me Brukselin dhe qendrat e tjera ndërkombëtare, çështja me siguri nuk do të zgjidhet. Kjo do të thotë se bisedimet duhet të vazhdojnë, madje edhe me ata me të cilët nuk pajtohesh, e nëse bisedimet vazhdojnë, shtohet edhe mundësia e gjetjes së një kompromisi”, konstaton Beshiri.