Vuçiq: Faleminderit për votat dhe abstenimet kundër Kosovës, Serbia nuk mposhtet lehtë

Aleksandar Vuçiq ka mirëpritur vendimin nga Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it kundër anëtarësimit të Kosovës.

Lajme

20/11/2018 11:52

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka mirëpritur vendimin nga Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it kundër anëtarësimit të Kosovës.

Ai e përshkroi vendimin si sukses të një shteti të vogël por krenar.

“Serbia është shtet që duhet ta kërkojë kompromisin tek e ardhmja dhe duke llogaritur se cilat janë raportet në botë. Jemi shtet që mendon për përparim, e që vendimin e INTERPOL-it nuk duhet ta përdorin për ta përulim Prishtinën”, deklaroi Vuçiq në një konferencë për media, transmeton lajmi.net.

“Serbia nuk është shtet i cili mposhtet lehtë, turpërohet e as nuk shkelet. Dua t’u falënderohem të gjithë atyre që votuan kundër, edhe atyre që abstenuan, mes të cilëve ishte edhe një numër i shteteve të mëdha. Mbi të gjitha, dua t’u falënderohem të gjithë atyre që i kanë rezistuar presionit të madh”, shtoi ai.

“Është një fitore e vogël për ne, shumë fuqi të mëdha kanë dashur të na mposhtin, arritëm ta ruajmë fytyrën tonë. I uroj njerëzit, por ne ekonominë tonë duhet ta zhvillojmë andaj e lusim BE-në të gjejë mënyrë për ta detyruar Prishtinën ta tërheq vendimin për rritje të taksës për mallrat e importuara nga Serbia”, theksoi Vuçiq. /Lajmi.net/