Vuçiq: Dua të besoj në një zgjidhje me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ishte pjesëmarrës sot në Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Përendimor së bashku me homologun e tij nga Kosova, Hashim Thaçin.

Lajme

17/05/2018 17:22

Nga Sofja, Vuçiq deklaroi se dëshiron të besojë në një zgjidhje që do të arrihet në të ardhmen me Kosovën, e cila do të jetë e pranueshme për të dy palët.

“Dëshiroj të besoj se Serbia do të ketë forcë të mjaftueshme në periudhën që na pret, nëse ka vullnet për gjetjen e një zgjidhje edhe nga pala tjetër, duhet të vijmë me një zgjidhje të pranueshme edhe nga qytetarët serb”, deklaroi Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Në raste tjera, Vuçiq thotë se ai do të luftojë deri në arritjen e një zgjidhje të tillë.

Ai e pranoi se ka shkëmbyer disa fjalë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, mirëpo siç e quajti ai, këtë e sheh më shumë siç e quan ai si “një akt mirësjelljeje”.

Duke u shprehur i sigurt se dialogu duhet të vazhdojë, Vuçiq tha se nuk mund të limitojë kohë brenda së cilës duhet të gjindet kjo zgjidhje.

“Nuk janë 140 ditë, ka një dëshirë të madhe në Serbi për të zgjidhur problemin me Kosovën, shteti serb ka shpenzuar energji, përpjekje dhe vullnet për përmbushjen e obligimeve”, përfundoi Vuçiq.

Ndryshe, në Samitin e Sofjes të mbajtur gjatë ditës së sotme, për shkak të Kosovës nuk ka marrë pjesë kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy./Lajmi.net/