Vuçiq donte të anulonte vizitën e Ramës, por nuk e la Merkel

Pas asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit në ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe presionit të brendshëm kryeministri serb Aleksandar Vuçiq donte që të anulonte vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd të paraparë për 22 tetor. Por presioni i kancelares Merkel, bëri që të gjendet një kompromis, dhe vizita të mos anulohej por vetëm të shtyhej për 10 nëntor. 

Lajme

19/10/2014 23:29

Pas një bisede telefonike mes Ramës dhe Vuçiqit e cila mësohet se ka zgjatur rreth 30 minuta, prej orës 16:00 deri në 16:30, ata u morën vesh që kryeministri shqiptarë të vizitojë Serbinë më 10 nëntor e jo më 22 tetor siq ishte paraparë më herët. 

Burime për Top Channel bëjnë me dije se ka qenë presioni i shtuar ndërkombëtar mbi Beogradin që të mos ndërpritej vizita e Kryeministrit shqiptar në datën e planifikuar. Por nga sa mësohet, kryeministri serb ka kërkuar mirëkuptim, për shkak të atij që ai quan “presioni i brendshëm” nuk mund ta priste homologun shqiptar. Por ajo qe nuk mirëkuptoi Perëndimi ishte anulimi i ftesës së Vuçiq për Ramën, duke parë si rrugën e mesme shtyrjen disa ditë të saj.

Burime diplomatike i kanë thënë Top Channel se shtyrja me një datë të përcaktuar dhe të afërt është dakorduar paraprakisht me kancelaren Merkel, e cila e ka përjashtuar kategorikisht çdo mundësi për një shtyrje pa afat nga pala serbe, e cila ka ngurruar deri në fund të shtrojë tapetin e kuq e të ngrejë flamurin kuqezi pas asaj që ndodhi në stadiumin e Partizanit.

Ajo që qartësisht kuptohet është fakti se kryeministri serb Aleksander Vuçiq iu dorëzua atij që quan “presion i brendshëm” që në terma të tjerë në Serbi njihen si huliganizmi dhe nacionalizmi.

Por ajo që nuk kuptohet është fakti se ishte vetë ai dhe zyrtarë të tjerë serbë që iu dhanë zë përmes deklarimeve të fundit.

I gjendur në situatën që krijoi vetë, shefi i qeverisë së Beogradit pas një sërë telefonatash nga Uashingtoni e shtetet e rëndësishme europiane, kërkoi të telefonojë homologun shqiptar.