Vritet para shtëpisë Dimitrije Janicijevic

Këshilltari Komunal në Mitrovicën Veriore, Dimitrije Janicijevic, është vrarë para shtëpisë së tij, në Veri. Vrasja ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme. Ai ka qenë edhe kandidat për Kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore.

Lajme

16/01/2014 08:11

Një vrasje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Mitrovicës Veriore, ku është qëlluar për vdekje Këshilltari Komunal i kësaj Komune të sapoformuar, Dimitrije Janicijevic.

Ai është vrarë para shtëpisë së tij, në veri të Mitrovicës ndërkohë qe ende nuk dihet motivi dhe autori i sulmit.

Vrasja ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë komandanti rajonal i policisë në veri, Nenad Gjuric.

Autoritetet spitalore në veri i kanë thënë kësaj radio se Janiqijeviq është sjellë në spital pa shenja jete.

Janicijevic ka qenë edhe Kandidat për Kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore në zgjedhjet e fundit lokale nga Lista e Partisë së Pavarur Liberale.

B92 raporton se ai u qëllua 5-6 herë me armë automatike nga një person tash për tash i panjohur.

Policia menjëherë ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka bllokuar vendin ku ka ndodhur vrasja.

Ai, sipas B92, kishte kohë që ishte në shënjestër, pasi më parë i ishte vendosur mjet shpërthyes në makinën e tij.

Janicijevic, 35 vjeç ishte pronar i dyqan “Forneti” në Veri dhe baba i tre fëmijëve.