Vritet nxënësi brenda shkollës në Mitrovicë

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në Mitrovicë. Një nxënës është vrarë me thikë brenda Shkollës së Mesme Teknike “Arkitekt Sinani. Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës e cila ka thënë se bëhet fjalë për vrasje të rëndë. Ministria dënon rastin.

Lajme

28/01/2014 11:00

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në shkollën e mesme teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë.

Nxënësi i Klasës 13, A.S, është therë me thikë nga një bashkëmoshatarë i tij, brenda shkollës dhe nga plagët e marra nga ndërruar jetë pak minuta më vonë.

Edhe viktima edhe dorasi janë nxënës të kësaj shkolla dhe i përkasin të njëjtës gjeneratë.

Kjo vrasje ka tmerruar nxënësit e kësaj shkolla ndërsa ka tronditur qytetin e Mitrovicës dhe mbarë qytetarët e Kosovës.

Rastin e ka konfirmuar për Klan Kosovën edhe zëdhënësi rajonal i Policisë Avni Zahiti, i cili ka thënë se rasti është cilësuar si vrasje e rëndë, ndërsa i personi i dyshuar që e ka kryer këtë vrasje është arrestuar, ndërkohë motivet nuk janë bërë të ditura.

Ka reaguar menjëherë edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila  ka dënuar ashpër rastin që ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në shkollën e mesme teknike “Arkitekt Sinani”.

“Ministri Buja, në emër të MAShT, i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit për humbjen e djalit të tyre, ndërsa apelon te të gjitha institucionet, shoqëria civile dhe prindërit , që bashkërisht të punojmë edhe më shumë në ngritjen e vetëdijes për eliminimin e dukurive negative në shkolla”.

“MAShT është duke punuar vazhdimisht përmes strategjive dhe aktiviteteve të ndryshme për parandalimin e dhunës në shkolla, por gjithsesi që kontributi i të gjithë akterëve tjerë është i domosdoshëm në mënyrë që të kemi shkolla të sigurta për fëmijët tanë”, thuhet në reagimin e Ministrisë.