Vritet një kandidat i AAK’së në Skenderaj

Kandidat i AAK’së për Asamblenë Komunale në Skenderaj, Bekim Birinxhiku, është vrarë sot, në këtë qytet. Medie në Prishtinë thonë se autor i vrasjes është një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Lajme

02/11/2013 18:35

Kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Asamblenë Komunale në Skenderaj, Bekim Birinxhiku, është vrarë sot, një ditë para zhvillimit të procesit zgjedhor.

Medie në Prishtinë thonë se autor i vrasjes është një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Po ashtu bëhet e ditur se viktima ka qenë luftëtar i UÇK’së.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij krimi të rëndë.

Ka reaguar menjëherë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka konfirmuar se i vrari ishte kandidat i listës së AAK’ë në garën për Asamblenë Komunale të Skënderajt.

“AAK, duke u rezervuar nga kualifikimi i këtij rasti të rëndë dhe kriminal mbi jetën e Bekim Birinxhikut, fton organet e rendit dhe të drejtësisë që sa më parë ta zbardhin rastin. Edhe pse nuk dihen motivet, fakti që vrasja është kryer një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, duhet t’i shtyjë organet e rendit dhe prokurorinë që ta zbardhin sa më parë këtë krim”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar familjen Birinxhiku.