Vrau në lokalin e natës, 19–vjeçari nuk thotë asnjë fjalë në gjyq

Gjykata ka dhënë sot masën e arrestit me burg për Gani Tozajn, autorin e vrasjes së Ergys Gjioveshajt më 20 prill në Vlorë, në një lokal nate me muzikë.

Lajme

25/04/2017 11:53

Gjatë seancës gjyqësore, 19-vjeçari Tozaj nuk ka folur asnjë fjalë. Ka qënë avokati i tij, Vladimir Sadikaj, që ka kërkuar një masë të lehtë për autorin.

Kurse, prourori i çështjes Elidon Hysenaj kërkoi arrest me burg

Vrasja në lokal ndodhi pas një debati që nisi me një shpullë dhe degjeneroi në përplasje me armë. 18 gëzhoja u gjetën në vendin e vrasjes dhe 6 plumba në trupin e viktimës.

Për atë vrasje është në kërkim edhe Aranit Kondaj, 37 vjeç.

I riu që u arrestua si i dyshuar për vrasjen e Ergys Gjioveshaj në Vlorë ka deklaruar në polici se nuk kishte njohje me viktimën. Gani Tozaj u ka thënë hetuesve se para se të qëllonte Gjioveshaj kishin patur një përplasje verbale.

Gani Tozaj ka treguar në policinë e Vlorës se qëlloi me pistoletë në drejtim të Gjioveshaj pas një sherri verbal. 19 vjeçari ka qenë në tavolinë me Aranit Kondaj në kohën kur në tavolinën e tyre erdhi viktima Ergys Gjioveshaj. Pasi debatuan për disa minuta, 33-vjeçari qëlloi me pëllëmbë njërin nga personat që ndodhej me autorët.

Mësohet se nga tavolina e Ganiut janë nxjerrë armët dhe është qëlluar 33-vjeçari Gjioveshaj, por sipas policisë edhe një nga shokët e viktimes ka shtënë me armë zjarri.

Tozaj ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se nuk kishte njohje me viktimën.

Nga informacione policore bëhet me dije se mund të jenë shkëmbyer mbi 20 plumba. Gjioveshaj ka humbur jetën brenda pak sekondave duke dalë nga ambientet e lokalit ku kishte muzikë live.

Plumbat prekën edhe Arta Lukën që shoqëronte viktimën dhe një kamerier e muzikantin, të tre mbetën të plagosur.

I riu Tozaj u arrestua një ditë më parë 500 metra larg zonës ku kreu krimin në bashkëpunim me dy persona të shpallur në kërkim.

Kamerat e sigurisë kanë ndihmuar policinë që të identifikojë autorët brenda 24 orëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 20 prillit në një lokal në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.