Vrau 13 pacientë në dy vjet, arrestohet infermierja

Policia italiane ka arrestuar një infermiere pasi akuzohet për vrasjen e 13 pacientëve në një hark kohor prej dy vjetësh.

Bota

31/03/2016 17:08

Mediet vendase shkruajnë se bëhet fjalë për Fausta Bonino-n, 55 ­vjeçe. Kjo e fundit punonte prej vitesh në spitalin publik të Toskanës në sektorin e anestezisë, por pas vdekjeve të papritura të kaq shumë pacientëve kanë nisur dyshimet se mund t’i kishte shkaktuar ajo.

“Të gjitha viktimave, të moshës 61 deri në 88­ vjeç, u ishte injektuar një dozë më e lartë mjekimi çka u shkaktonte vdekjen”, ka deklaruar policia italiane.

Ndërkohë, mediet shkruajnë se shumë prej pacientëve kishin ardhur në gjendje të rëndë në spital por jo në gjendje kritike për jetën dhe më pas vdisnin nga komplikime të papritura.

Arrestimi i “infermieres vrasëse” është bërë i mundur ditën e djeshme. Nga hetimet e para ka rezultuar se ajo vuante nga probleme psikologjike si dhe kishte probleme me alkoolin dhe drogën.

Policia ka bërë të ditur se, “tashmë ajo po përballet me akuzën për vrasje dhe ndodhet në paraburgim ku do të presë gjykimin”. /shekulli