Vrasje në mes të Tiranës?! Qytetarët panik nga xhirimi i filmit

Xhirimet e një filmi aksion pranë piramidës në kryeqytetet, kanë shkaktuar panik te banorët. Qytetarë të cilët janë ndodhur pranë kryqëzimit të Radio Tiranës kanë njoftuar menjëherë forcat e policisë dhe mediat se aty po ndodhte një krim.

Lajme

28/03/2015 16:08

Skena e filmit që ka trembur banorët, ishte ardhja e një Benzi me shpejtësi, nga e cila kanë dalë 4 persona me maska dhe me armë në duar, qëllojnë me plumba manovre mbi një person në trotuar, e më pas largohen menjëherë me makinë. Edhe pse ka zgjatur vetëm 20 sekonda, kjo skenë ka trembur jo pak banorët dhe kalimtarët e rastit.

Qytetarët kanë menduar se ajo mund të ishte një skenë e mundshme krimi. Por, janë qetësuar më tej kur kanë parë kamerën e xhirimit dhe kanë mësuar se ishte vetëm një skenë për realizimin e një filmi.

Xhirimet e një skene të tillë në një zonë pak metra larg kryeministrisë, bënë që të mbërrijnë për kontrolle disa njësi të policisë. Vetëm pas verifikimeve policia është larguar, ndërsa kompania që po xhironte filmin ishte me leje, dhe prej disa ditësh po filmonte në atë zonë, raportojnë mediat në Shqipëri.