Vrasja në kryeqytet për çështjet e drogës – 29-vjeçarja kishte tërhequr një shumë të madhe parash

Vrasje për pazare droge është një nga pistat e policisë për atentatin e mbrëmshem në Tiranë, ku u ekzekutuan brenda makinës luksoze Aurora Oskian dhe Kevin Rugova.

Lajme

02/10/2015 09:50

“Panorama” shkruan sot se nga veprimet paraprake hetimore, ekzaminimi i provave në vendngjarje dhe nga e shkuara e personave që u bënë objekt i këtij atentati, Policia ka ngritur tri pista hetimi. Nisur nga e kaluara, si person me precedentë të mëparshëm kriminalë, burimet thanë se objektiv i këtij atentati ka qenë shtetasi Elvis Gaçaj, i cili mbeti i plagosur.

Një nga pistat lidhet pikërisht me të shkuarën e tij. Ndërsa po i kushtohet rëndësi edhe një piste tjetër që lidhet me viktimën Kevin Rugova, që sipas Policisë kishte bërë një sherr me një mikun e tij disa ditë më parë për çështje droge. Burimet thanë se kjo pistë përforcohet edhe nga identifikimi i një autori të mundshëm, i cili rezulton shok i Rugovës.

Nga ana tjetër, nisur nga mënyra se si është qëlluar dhe për faktin që pjesa më e madhe e plumbave të automatikut janë shkrepur mbi trupin e 29­-vjeçares Aurora Oskian, burimet dyshojnë edhe për ndonjë sulm për motive xhelozie, apo edhe për diçka më të rëndë se kaq, nisur nga disa sende që asaj i janë gjetur në çantë. Burimet thanë se Oskian kishte me vete një biletë udhëtimi për në Londër, vend ku shkonte shpesh pasi kishte familjen atje, si dhe një faturë banke, që tregonte për një shumë të konsiderueshme parash që ajo kishte tërhequr dje. Kjo i ka orientuar hetuesit edhe drejt një linje të mundshme trafikimi dhe pastrimi parash, megjithatë ende nuk është tërësisht e sqaruar.