Vrasja e Santos, denoncimi i një dëshmitari nuk u mor parasysh nga policia (Video)

105 ditë nga vrasja mafioze e bankierit Artan Santo, zbulohen fakte të reja rreth autorëve të dyshuar. Një qytetar ka dëshmuar në News24 rreth të dhënave të rëndësishme që i ka kallëzuar në polici për personat e përfshirë në atentat.

Lajme

13/10/2014 23:48

Pas vrasjes së Artan Santos qëndron qeveria! Akuza bombë vjen nga partia Demokratike, dy muaj e gjysmë pas ekzekutimit të bankierit. Duke iu referuar dëshmisë së një qytetari në media, demokrati Arben Ristani tha se shpërfillja e tij nga policia konfirmon përfshirjen e qeverisë në këtë krim të rëndë mafioz.

Qytetari denoncon publikisht se ka pasur prova dhe emra të vrasësve, dhe ia ka dhënë ato Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Por qytetari është shpërfillur nga policia pasi ndihma që ai ka dhënë për zbardhjen e ngjarjes nuk është marrë në konsideratë. Motivi ka qenë fshehja dhe mbulimi i vrasësve. Motivi është ai që Partia Demokratike e ka denoncuar prej kohësh. Vrasja është lejuar të ndodhë. Pas vrasjes qëndron qeveria, tha Ristani në deklaratën për shtyp.

Ministria e Brendshme ka reaguar ashpër pas deklaratës së Ristanit, duke hedhur poshtë me neveri akuzat ndaj Policisë së Shtetit. Përmes një deklaratë të shpërndarë për median, Ministria e Brendshme thotë se në kuadër të hetimeve për vrasjen e bankierit Artan Santo ka konsideruar dhe ka verifikuar çdo informacion të ardhur nga qytetarët

Televizioni News24 ka heshtur deri më sot për interes të hetimit, por përmes gazetarit Artur Cani thyen heshtjen dhe jep disa fakte të reja rreth vrasjes së bankierit Artan Santo. Edhe BalkanËeb përcjell dëshminë e plotë të qytetarit.

Në intervistën e dhënë për gazetarin Artur Çani dëshmitari, identitetin e të cilit nuk mund ta bëjmë publik për arsye sigurie, rrëfen se me datën 25 gusht ka komunikuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi për të gjitha të dhënat e shumta që disponon, të cilat sipas tij, mund të zbardhin misterin e autorëve dhe motivit të ekzekutimit të bankierit Santo.

Dëshmitari rrëfen se i ka dhënë Didit emrat e vrasësve, në këmbim të 100 mijë eurove, që si mori kurrë. Kujtojmë që në video ka ndryshuar edhe zëri i denoncuesit, me qëllim që të garantohet anonimitet i plotë i tij.

“I njoh vrasësit e bankierit Artan Santo. Kam kallëzuar më 25 gusht emrat e autorëve tek drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Kallëzova emrat e autorëve të Artan Santos, tregova madje dhe targën e motorit të autorëve. Kam pritur reagimin e policisë ndaj autorëve, por pas heshtjes iu drejtova një prokurori në Tiranë. Më pas iu drejtova televizionit tuaj, News24”, ka thënë qytetari.

Biznesmeni Artan Santo, bashkëpronar i medias “Focus Group”, i “Bankës Credins” dhe “TV Scan”, u qëllua mizorisht për vdekje me armë zjarri nga dy persona të maskuar, paraditen e 26 qershorit, në zonën e ish-Bllokut, në zemër të kryeqytetit, pranë selisë qendrore të “Bankës Credins”, teksa ishte duke hyrë në institucion.