Vrasja e komisarit, zbulohen dy bashkëpunëtorët

Pas dëshmisë së Mikel Shallarit, prokuroria dhe policia shpallin në kërkim dy persona. Njëri prej tyre është i afërm i 24-vjeçarit Shallari dhe mendohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit. Ndërsa tjetri është personi i dyshuar si porositës i vrasjes së Artan Cukut.

Lajme

29/06/2017 17:50

ABC News ka mësuar se pas rrëfimit penduese për krimin e kryer, prokuroria ka shpallur në kërkim dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.

Ndërkohë jo zyrtarisht, burimet thonë se në kërkim është shpallur një i afërm i 24-vjeçarit Shallari dhe një person tjetër.

Të dy të shpallurit në kërkim, thonë burimet dyshohet se kishin rolet të ndryshme, njëri si ndërmjetësues dhe person që i ka siguruar armët dhe i dyshuari si porositës për vrasjen e Artan Cukut. Por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak se, si policia ashtu edhe prokuroria po tregohen mjaft të rezervuar duke mos treguar emrat e personave për llogari të cilëve ka kryer vrasjen e komisarit.

Nuk jepen detaje, se kush janë porositësit, duke hedhur dyshime për dy versione, atë të porositësve nga Shkodra që janë pjesëtar të familjes Daka që nuk janë përjashtuar nga hetimi në asnjë rast apo edhe të dyshuarit për vrasje nga qyteti i Vlorës, me të cilët Cuku është përplasur kur ishte në krye të drejtorisë së policisë së Vlorës dhe Fierit.

Sipas këtyre burimeve, thuhet se prokuroria po vazhdon verifikimin e thënieve të 24-vjeçarit Shallari në lidhje me rastin e vrasjes së komisarit Artan Cuku. Kjo për shkak se ka dhënë versione të ndryshme gjatë dëshmisë, duke ngritur dyshime për hetuesit se Mikel Shallari po tenton të fsheh emrat e disa personave të tjerë, veç atyre që ka treguar. Por për hetuesit tashmë është provuar shkencërisht dhe me pohim se 24-vjeçari është autori I vrasjes së komisarit Cuku.

Nga ana tjetër, këto burime nuk kanë përjashtuar nga verifikimi edhe të dhënat që ka treguar 24-vjeçari Shallari për krimet e tjera, për të cilat ka dijeni apo I ka kryer edhe vetë për llogari të personave të tretë.

Ndërkohë, prokuroria është në pritje të përfundimit të akt-ekspertimeve balistike dhe krahasuese të armëve të gjetura në fshatin Polovinë të Kuçovës me predhat dhe gëzhojat e gjetur në vendin e ngjarjes, ku u vra komisari Cuku mbrëmjen e datës 8 prill në hyrje të pallatit të tij.