Vrasja e Ilmi Lufajt me armën e shtetit

“Lufi i Luftës”. Këtë epitet ia kishte dhënë ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj, ish-pjesëtarit të UÇK-së, Ilmi Lufajt, në akademinë përkujtimore kushtuar Lufajt pak orë pas vdekjes.

Lajme

25/06/2017 13:27

Njeriu i cili u nderua nga krerët e UÇK-së njihej në zonën e Dukagjinit për të bëmat e tij heroike gjatë luftës. Siç e përshkruante gjenerali Haradinaj, Lufaj kishte qenë pjesë e pothuajse të gjitha betejave të Dukagjinit.

Paslufta e kishte gjetur Lufajn me probleme. Ai ishte arrestuar me pretendimet për përfshirje në njëren nga pengmarrëjet më të gjata në vend por në fund ai kishte dalë i pafajshëm.

Probleme thuhet se ndodhën edhe mbrëmjen kur Lufaj u qëllua për vdekje.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, të cilin e nderoi Haradinaj dhe shumë eprorë të tjerë, ishte qëlluar për vdekje nga rreshteri i Policisë së Kosovës, Shefqet Kameraj.

Nderimet për luftëtarin e UÇK-së u panë si të ngutshme pasi një ditë më herët Policia në një njoftim të saj kishte paragjykuar se polici e qëlloi Lufajn në vetëmbrojtje.

Hetimet e mëtutjeshme dhe vendimi i gjykatës e treguan të kundërtën e asaj çfarë e tha Policia.

Nuk u desh shumë kohë dhe Prokuroria e Pejës e ndërroi cilësimin të cilin e dha Policia në orët e para ndërsa pamje filmike e dëshmitarë të rastit e bënë gjykatën të besojë që Lufaj nuk është qëlluar në vetëmbrojtje.

Dorasi Shefqet Kameraj, një polic në moshë nga Lëbusha e Deçanit, fshat shumë afër Strellcit ku u rrit Lufaj, e kishte përshkruar në gjykatë heroin e UÇK-së si një njeri jo të përshtatëshëm.

“Nuk kam pasë të bëj me një qytetar të thjeshtë dhe të ndershëm por me një të dyshuar i cili ka qenë 10 vjet i dënuar dhe ka shumë raste në Policinë e Deçanit për vepra të ndryshme penale”, kishte deklaruar Kameraj një ditë pas vrasjes në gjykatë.

Në ditët e para pas ngjarjes e në muajt në vijim shtëpia e Kamerajt u vu nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës. Frika nga hakmarrja e mundshme e bëri Policinë që të kujdeset për ruajtjen e familjes së rreshterit i cili po mbahej në paraburgim.

Si ndodhi rasti

Siç e përshkruan Prokuroria natën mes 18 e 19 prillit 2016, Ilmi Lufaj ishte mbledhur me shokët e tij në njërin nga lokalet në qendër të Deçanit.

Në atë kohë në Deçan ishin dëgjuar të shtëna me armë, të cila besohet se ishin gjuajtur nga dy vetura që ishin nisur në drejtim të Pejës.

Siç shkruhet në raportet e Policisë gëzhoja ishin hasur në qendër të Deçanit dhe përballë Stacionit të Policisë.

Në komunikimet e tyre Policia kishte ngritur alarmin se të shtënat erdhën nga një veturë Range Rover e cila po shkonte në drejtim të Pejës. Informacioni kishte ngritur alarmin dhe në dalje të Pejës Policia ndaloi veturën, e cila drejtohej nga Besfort Elshani.

Ky i fundit një mik i Ilmi Lufajt gjatë kohës kur po udhëtonte me makinë drejt Stacionit të Policisë së Deçanit e kishte telefonuar Ilmi Lufajn, duke i thënë se së bashku me Policinë po vinte në Stacionin Policor në Deçan.

Disa orë me herët Ilmi Lufaj bashkë me Besfort Elshanin dhe shokë të tjerë ishin duke qëndruar bashkë në Deçan.

Natën kur po zhvilloheshin këto ngjarje rreshteri Shefqet Kameraj ishte në shtëpi por kolegët e kishin ftuar t’u ndihmonte për ta shikuar vendin ku ishte shtënë me armë zjarri.

Konflikti

Siç pretendohet në dosjen e Prokurorisë, Kameraj kishte arritur në Stacion menjëherë pas thirrjes nga kolegët ndërsa në oborrin e Stacionit ishte përballur me Ilmiun, i cili kishte kërkuar nga Policia ta lironin mikun e tij Besfort Elshanin, i arrestuar pak më herët.

“Kam me ta q*** nënën, familjen krejt çka i ke të gjallë e të vdekur dhe nuk ke me qit kon ma jasht veç në hysh ka je dalë”, ishin fjalët e drejtuara nga Lufaj kundër Kamerajt, përshkruhet në  aktakuzën e prokurorit, Haxhi Sinanaj.

Pas ofendimit Lufaj ishte  larguar nga oborri i Stacionit Policor pas ndërhyrjes së tre policëve, duke u dërguar përballë pompës së benzinës “Al- Petrol”, e përshkruante rastin aktakuza.

Tutje Prokuroria nuk ka arritur ta sqarojë se pse pesë minuta pas sharjes rreshteri Kameraj kishte dalë jashtë Stacionit dhe kishte shkuar tek viktima.

Siç shkruhet në aktakuzë, Kameraj pesë minuta pas ofendimeve dhe fyerjeve të Lufajt, shkoi te viktima, nxori pistoletën dhe e goditi atë me një plumb në veshin e majtë.

Siç përshkruhet në aktakuzë, Lufaj kishte tentuar të ikte nga vendi i ngjarjes duke e lutur Kamerajn që të mos e godasë përsëri por Kameraj e kishte goditur viktimën për herë të dytë në kokë duke e lënë të shtrirë dhe pa shenja jete.

Disa muaj pas vrasjes, Prokuroria Themelore e Pejës, ngriti aktakuzë ndaj Shefqet Kamerajt për vrasjen e Ilmi Lufajt, duke e cilësuar si vrasje të rëndë me motive të hakmarrjes./Kallxo.com