Vrasja e gazetarit saudit, Turqia zgjeron hetimet

Policia në Turqi, që po heton për vrasjen e supozuar të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka zgjeruar fushën e saj të kërkimeve.

Bota

19/10/2018 17:28

Zyrtarë turq kanë thënë se trupi i tij mund të jetë hedhur në një pyll pranë Konsullatës, apo në një fermë. Khashoggi u zhduk pasi hyri në Konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor, dita kur zyrtarët turq dyshojnë se është vrarë.

Arabia Saudite mohon të ketë dijeni se çfarë ka ndodhur me të. Kampionë dhe prova të marra nga Konsullata saudite dhe rezidenca e konsullit, gjatë kërkimeve këtë javë, janë testuar për të gjetur një përputhje me ADN-në e Khashoggit.

Kërkimi më i fundit i raportuar në pyllin “Beograd”, afër qytetit Yalova, nisi pasi u ngritën dyshime në lidhje me lëvizjet e mjeteve diplomatike saudite në kohën e zhdukjes së Khashoggit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka mohuar ndërkohë të ketë dëgjuar një regjistrim audio, që Turqia thotë se është provë e vrasjes së Khashoggit.

“Nuk kam dëgjuar asnjë regjistrim, nuk kam asnjë transkript”, tha ai.

Turqia ka thënë më herët se ka prova audio dhe video për vrasjen e Khashoggit, por ato nuk janë bërë publike. Ministri i Jashtëm turk përsëriti të premten se Turqia nuk i ka ndarë ato me askënd.