Vrasja e dy vllezërve, kërkohet ekspertizë italiane

Të pakënaqur me ekzaminimin e trupave të vrarë të vëllezërve Çollaku, familjarët e tyre kërkojnë ekspertizë italiane. Ata dyshojnë se këta dy vëllezër janë keqtrajtuar para se të vriten.

Lajme

15/12/2013 14:39

Familjarët e vëllezërve Çollaku të vrarë nga policia greke ditë më parë, po kërkojnë ekspert italian për ri-ekzaminimin e trupave të vrarë.

Duke qenë të pa kënaqur me punën e ekspertëve mjeko-ligjor nga Shqipëria dhe Greqia, familjarët e dy viktimave janë nisur për Itali.

Gjithashtu, familjarët paralajmërojnë protesta nëse nuk zbardhet e vërteta e vrasjes së dy vëllezërve, transmeton Topchannel.

Sipas ekspertizës shqiptare, nga këqyrja e trupave të Melsi dhe Klevis Çollakut nuk u konstatuan shenja dhune, por në trupat e tyre ka pasur vetëm plagë të shkaktuara me armë zjarri.

“Dy vëllezërit janë qëlluar nga një distancë e afërt”, thuhet në ekspertizë.

Akti i ekspertimit mjeko-ligjo pritet t’i shkojë prokurorisë, ndërkohë që ai u krye pas pretendimit të familjarëve se dy viktimat ishin dhunuar barbarisht para se të vriteshin.