Vrasja e 13-vjeçarit, flet babai i vëllezërve Kodra: Djemtë e mi në burg për vrasësin e turistëve çekë

Babai dy vëllezërve Kodra të akuzuar për vrasjen e një 13-vjeçari në fshatin Pjollë në shtator 2013 në bashkëpunim me Sokol Mjacaj, ka reaguar lidhur me këtë ngjarje. Marash Kodra thotë se dy djemtë e tij, Besnik dhe Edmond Kodra, po vuajnë një dënim që duhet ta kryente Mjacaj, për të cilin thotë se u lirua pasi bashkëpunoi me drejtësinë.

Lajme

07/07/2015 09:39

Sipas Marash Kodrës, djemtë e tij nuk kanë qenë në vendngjarje, por thotë se ishte Sokol Mjacaj ai që kishte njohje me viktimën, “pas ishin në një shkollë”.

“Djemtë e mi nuk kanë qenë në vendngjarje, ishte Mjacaj ai që njihej me viktimën, pasi ishin në një shkollë. Djemtë e mi po bëjnë burgun për Sokol Mjacajn, pasi ai u lirua se bashkëpunoi me drejtësinë. 13-vjeçari kishte marrë drogë dhe s’kishte paguar lekët”, rrëfen Marash Kodra, babai i dy të akuzuarve për vrasjen e 13-vjeçarit.

Besnik Kodra është dënuar me burg përjetë, ndërsa Edmond Kodra me 11 vite. Për këtë ngjarje, Sokol Mjacaj u dënua me 5 vite burg. Të tre këta persona kanë vrarë me gurë lumi 13-vjeçarin në shtator të 2010, në fshatin Pjollë, komuna Shalë, pasi s’u jepte varësen e floririt, të cilën ia kishin blerë prindërit e tij.

Tashmë Sokol Mjacaj akuzohet për vrasjen e 2 turistëve çekë 4 ditë më parë, gjatë tentativës për t’u grabitur makinën me të cilën ata udhëtonin në Dukagjin. /Balkanweb