Vrasësit e San Bernardinos, “ushtarë të Kalifatit”

Grupi xhihadist “Shteti Islam” (ISIS) i ka quajtur sulmuesit e masakrës në Kaliforni “ushtarë” të “kalifatit” të tij, por nuk e ka marrë megjithatë përgjegjësinë për sulmin në mënyrë të qartë.

Bota

06/12/2015 08:32

Në një program në anglisht, të publikuar të shtunën nga radio-stacioni i tij, grupi xhihadist u thur lavde autorëve të masakrës të së mërkurës në San Bernardino (jugperëndim të Shteteve të Bashkuara), ku janë vrarë 14 veta e janë plagosur 21 të tjerë.

“Dy ushtarë të Kalifatit kanë kryer një sulm në Inland Regional Centre në San Bernardino, në Kaliforni”, thotë ISIS-i në këtë incizim. Grupi xhihadist aludon në pjesët e territoreve që i kontrollon në Siri dhe Irak në të cilat, më 2014, ka shpallur “kalifatin” islam.

Në audio-incizimin e publikuar në arabisht pak orë më herët, ISIS-i sulmuesit i quan “përkrahës të ‘Shtetit Islam’”.

Sipas versionit në anglisht të incizimit, sulmuesit, Syed Farook, 28-vjeçar, dhe bashkëshortja e tij Tashfeen Malik, 29 vjeçe, janë vrarë “në shërbim të Allahut”.

Mirëpo, grupi nuk e ka marrë formalisht përgjegjësinë për sulmin siç ka vepruar më herët për atentate të tjera.

Ndërkohë, burime qeveritare amerikane kanë thënë se nuk ka asnjë shenjë se sulmi është kryer ose porositur nga grupi xhihadist dhe që organizata të ketë qenë në dijeni për projektin e çiftit për këtë masakër.

Kurse, presidenti Barack Obama në fjalimin e tij të përjavshëm përmes radios u ka bërë thirrje amerikanëve për unitet pas sulmit të tmerrshëm të së mërkurës.

“Ne jemi amerikanë. Ne do të mbrojmë vlerat tona, ato të një shoqërie të hapur dhe të lirë. Ne jemi të fuqishëm. Ne jemi të qëndrueshëm. Dhe nuk do të lejojmë të terrorizohemi”, ka deklaruar presidenti amerikan.

“Është e mundur që këta dy sulmues të jenë radikalizuar për të kryer këtë akt terrori. Nëse është kështu, kjo do të konfirmojë kërcënimin në të cilin jemi përqendruar që prej shumë vitesh, rrezikun nga personat që ndikohen nga ideologji të dhunshme dhe ekstremiste”, ka theksuar Obama, teksa i ka bërë thirrje Kongresit të ndryshojë Ligjin për Armët. /ZËRI/