Votuesve të mi të çmuar

Po u drejtohem me këtë porosi të sinqertë siç jam munduar të bëj në secilin komunikim me ju duke përfshirë edhe diskutimet dhe intervenimet e mia përgjatë dy mandateve të kaluara në Kuvend.

Lajme

13/06/2017 18:01

Jam i lumtur që procesi zgjedhor, marrë në përgjithësi, u zhvillua mirë dhe brenda standardeve deri në këtë fazë, sa i përket rangimit të forcave politike. Kemi dhënë një mesazh të mirë sidomos tek partnerët tanë e që ka rëndësi për përmirësimin e imazhit të vendit dhe forcimit të pozitës së tij ndërkombëtare.

Jam poashtu i lumtur që një përvojë e imja dhe një bagazh i studimeve përgjatë disa dekadave ka gjetur mundësinë që të dëshmohet në Kuvend për dy mandate, për faktin se rekomandimet tona të kahershme kanë gjetur zbatimin në disa nga masat e politikave ekonomike që aprovoi Qeveria në largim, veçanërisht në fushën e politikave tatimore të favorshme për investitorë dhe prodhuesit vendorë, duke përfshirë këtu edhe shërbimet. Këtu duhet përfshirë edhe Ligjin mbi Trepçën, Ligjin mbi investimet strategjike , një serë ligjesh për energjinë, për trafikun, për standardizimin dhe Ligjin mbi pronën industrial dhe intelektuale.

Gjithashtu, nëpëmjet Komisionit kontribuuam në prezantimin e mirë të Kuvendit në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke kryer rolin e raportuesit në SEECP dhe Kryesuesit në Parlamentin e Komunitetit Europian të Energjisë. Ky përbën edhe një satisfaksion për mua gjatë punës në udhëheqjen e Komisionit të Kuvendit për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, industri dhe tregti .

Gjatë aktivitetit parazgjedhor kam mundur të vërej se përkrahja për mua si kanditat për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme, gjatë komunikimit me votues, ka qenë inspiruese. Megjithatë, disa rezultate që kam marrë në disa degë të Prishtinës tregojnë një rënie të përkrahjes në krahasim me zgjedhjet e kaluara e edhe ato të vitit 2010.

Sigurisht këtu shkakun duhet kërkuar në gabimet e mia. Ndaj pa marrë parasysh se a do të kem mjaft vota për të marrë sërish pozitën e deputetit apo jo, kam vendosur të tërhiqem nga aktiviteti i drejtpërdrejtë politik në institucione.

Kam vendosur që në vitet që vijnë, aq sa do të kem shëndetin dhe mundësitë tu përkushtohem tri projekteve :

  • Punës në Riinvest, në thellimin e studimeve lidhur me çështjet kyçe të zhvillimit ekonomik, politikave zhvillimore e makroekonomike, për të forcuar rolin e Riinevstit si një organizatë kërkimore, avokuse si një think tank i pavarur.
  • Konsolidimin e Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike që e patëm themeluar në nëntor të vitit 2012 me disa kolegë nga Tirana e Maqedonia, por që për shkak të punës sime në Kuvend ka mbetur pezull.
  • Do të mbështes themelimin e një Klubi apo Ascociacioni të Prishtinasve, të cilët me dekada janë margjinalizuar.

Gjithashtu, me duhet të përkushtohem edhe në çështjet rreth familjes e familjarëve që pa të drejtë i kam lënë anash.

Sikurse edhe deri tash do të jem në disponim të institucioneve të Kosovës për të dhënë mendimin dhe këshillën time kurdo që kërkohet, pa marrë parasysh formacionet politike që do t’i udhëheqin.

I falënderoj të gjithë votuesit e mi dhe shpresoj shumë që do të më mirëkuptojnë!