Voton Parlamenti, Prishtina bëhet me Ligj

Prishtina më në fund do ta ketë Ligjin e saj, proces ky që ka nisur në vitin 2008, si derivat i pakos së Ahtisaarit e i normuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Lajme

17/05/2018 18:19

Kuvendi i Kosovës me shumicë të votave ka votuar pro këtij Projektligji, transmeton lajmi.net.

Ligji u miratua pas debateve për e kundër formimit të Policisë së Kryeqytetit.

Disa deputetë dyshonin se formimi i Policisë së Kryeqytetit do t’i hapte derën formimit të policive lokale edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

Lajmin për miratimin e projektligjit e ka dhënë edhe Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.

“Një projekt madhor i Qeverisë Haradinaj kaloi! Parlamenti i Kosovës, pas 10 viteve e votoi Ligjin për Kryeqytetin. Me këtë, Prishtina e fitoi statusin dhe identitetin e plotë, ndërkaq Kosova në shtetësinë e saj tani ka kryeqendër me plotë kuptimin e fjalës. Urime Prishtinë. Urime Kosovë”, ka shkruar Tahiri në facebook.

Më këtë ligj, si asnjëherë më parë, Kryetari i Prishtinës do t’i ketë dy nënkryetarë. Derisa Policia e Kosovës do ta ketë edhe një nëndegë të saj, policinë komunale në Prishtinë.

Prishtina sipas këtij projektligji, do të ketë spital dhe njësi policore që do të jenë në shërbim vetëm të qytetarëve të Prishtinës. Pra, Policia themelon Drejtorinë e Policisë  për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit.

Kryeqytetit të Republikës së Kosovës i jepet një grant shtesë në lartësinë jo më pak se 4% e grantit të përgjithshëm të komunave, të përcaktuar në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, nga buxheti i Kosovës për secilin vit fiskal. Kjo ndarje merr si referencë vetëm  vlerën e grantit të përgjithshëm të komunave dhe nuk merret nga ky grant, por nga ndarjet e tjera të buxhetit qendror. /Lajmi.net/