Votimi për FAK-un shtyhet për vjeshtë, në pako me ndryshimet për Gjykatën Speciale

Votimi për themelimin e Forcave të Armatosura do të bëhet në pako me ndryshimet kushtetuese të nevojshme për vënien në funksion të Gjykatës Speciale për Krime Lufte, por jo sot. Sipas burimeve të lajmi.net, kjo përpjekje për të pamundësuar “veton e pakicave” do të bëhet në vjeshtë, pas konstituimit të parlamentit të ri.

Lajme

06/05/2014 12:28

Liderët e partive politike, të ftuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk kanë arritur as sot të zhbllokojnë ngërçin politik të krijuar në Kuvendin e Kosovës, si pasojë e vetos që  kanë paralajmëruar deputetët serbë, në rast të mosvazhdimit të vendeve të rezervuara edhe për një mandat.

Transformimi i Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura, ku nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve (plus dy të tretët e votave të deputetëve të pakicave) do të votohet në vjeshtë, pas konsolidimit të parlamentit të ri, i cili do të dalë nga zgjedhjet që pritet të mbahen në muajin qershor.   

“Liderët politikë nuk kanë arritur marrëveshje se si të dilet nga kjo situatë, prandaj pritet që votimi për FAK-un të shtyhet për vjeshtë, pas konsolidimit të legjislaturës së re”, ka thënë për lajmi.net një burim zyrtar i njërës nga partitë pjesëmarrëse në përpjekje për të arritur marrëveshje.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë treguar gatishmëri për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat edhe për një mandat, por Lidhja Demokratike e Kosovës këmbëngulë se nuk do të votojë pro themelimit të Forcave të Armatosura, por jo për mandatet e rezervuara për pakicat.

“Shpresojmë që në legjislaturën e re të tejkalojmë ngërçin e krijuar nga pakica serbe me votim në pako themelimin e Ushtrisë dhe ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për vënien në funksion të Gjykatës Speciale për Krime Lufte”, ka thënë ky burim për lajmi.net.