Votim pozitiv

ENEMO e ka vlerësuar mirë procesin e rivotimit në veri të Mitrovicës. Por, procesin e ka përshkruar me disa mangësi si ajo e ushtrimit të fushatës politike në vendvotime, por edhe votimi familjar.

Lajme

19/11/2013 15:16

Me përjashtim të disa mangësive procedurale, Rrjeti Europian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) e ka vlerësuar në përgjithësi si të suksesshëm rivotimin që u zhvillua të dielën në Mitrovicën e Veriut.

ENEMO ka përshëndetur punën e mekanizmave të sigurisë të cilët janë përkujdesur që gjatë procesit të rivotimit të ofrojnë siguri në mënyrë që votuesit të shprehin vullnetin e tyre për të votuar lirshëm dhe në mënyrë paqësore.

Procesi i rivotimit u zhvillua të dielën në tri qendra votimi, në veri të Mitrovicës. Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit persona të maskuar të grupeve ekstremiste që veprojnë në veri të vendit kishin arritur t`i demolojnë kutitë e votimit, duke dërguar pjesërisht komunën në përsëritje të zgjedhjeve.

“Rivotimi i pjesshëm në Mitrovicën e Veriut është administruar në mënyrë efikase dhe është realizuar në atmosferë të qetë në të gjitha Qendrat e Votimit, me disa mangësi procedurale”, thuhet në deklaratën preliminare të ENEMO’s.

“Institucionet përgjegjëse për sigurinë kanë bërë përpjekje domethënëse për sigurimin e një numri adekuat të forcave të sigurisë në Mitrovicën e Veriut dhe, në të njëjtën kohë ata kanë arritur të sigurojnë parakushte të sigurta dhe të qeta që votuesit të shprehin të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të lirë dhe paqësore”.

Përveç toneve pozitive, ENEMO’s nuk i kanë ikur edhe mangësitë që ka prodhuar ky proces Sipas tyre votimi familjar ka mbetur akoma një sfidë në shumë vendvotime.

“Vëzhguesit e ENEMO-s përsëri kanë vërejtur abuzim të mjeteve shtetërore nga një numër i zyrtarëve publikë adresuar qytetarëve, kryesisht atyre të punësuar në institucionet publike.

“Ushtrimi i fushatës politike në afërsi të vendvotimeve, si dhe materiali i fushatave politike të subjekteve politike kanë qenë mjaftë të dukshme në shumë vendvotime”.

Sipas tyre procesi i votimit është mbyllur me kohë, dhe i gjithë materiali i procesit zgjedhor është bartur në QNR në Prishtinë.

“Në bazë të dhënave të mbledhura në terren, vendvotimet janë mbyllur në kohë dhe materiali nga të gjitha Qendrat e Votimeve është marrë nga OSBE dhe pastaj është transportuar për në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë për numërim”, thuhet në deklaratën e ENEMO’s.