Vota kundër SHBA në OKB, Presidenca: Ja prova që qeveria nuk u konsultua

Presidenca ka reaguar sot lidhur me disa lajme në media për çështjen e votës së Shqipërisë kundër SHBA në OKB.

Lajme

26/12/2017 18:54

Në një sqarim zyrtar, Presidenca deklaron se mes përfaqësuesve të këtij institucioni dhe Ministrisë së Jashtme nuk ka pasur asnjë komunikim institucional për mënyrën sesi do të votonte Shqipëria në OKB.

SQARIMI I ZYRES SE SHTYPIT TE PRESIDENTIT

Sot, rreth orës 12:00, portali “lapsi.al”, ka publikuar një artikull me titull “Vota në OKB/ Si gënjeu Ilir Meta në letrën për Donald Trump”.

Duke patur të qartë prapavijën qëllimkeqe dhe dizinformuese të këtij lajmi, jo të rastësishëm, Zyra e Shtypit e Presidentit sqaron edhe njëherë se:

Nuk ka patur asnjë informim dhe konsultim paraparak nga MEPJ dhe zyrtarë të saj në drejtim të kabinetit të Presidentit të Republikës për votimin në OKB.

Vetëm disa minuta para votimit, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, z.Arben Cici i ka telefonuar me inisiativën e tij për shkak të sensibilitetit të çështjes, Drejtorit të Përgjithshëm Politik në MEPJ, z.Ferit Hoxha për t’u njohur me vendimin për mënyrën e votimit të Shqipërisë në OKB, nga i cili ka marrë përgjigje që “Nuk ka ende një vendim por po vazhdojmë konsultimet”, por jo me kabinetin e Presidentit.

Pak minuta më vonë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z, Ilir Meta është njohur me qëndrimin e Shqipërisë në OKB vetëm përmes mediave online, ashtu si gjithë qytetarët e vendit.

Për informacion më të saktë njoftojmë se Drejtori i Kabinetit në Presidencë, z. Arben Cici ka marrë një njoftim me sms nga Drejtori i Përgjithshëm Politik në MEPJ, z. Ferit Hoxha, vetëm në orën 18:24, rreth dy orë e gjysëm pas votimit, me një “Pro” rezolutës”.

Nuk ekziston asnjë komunikim tjetër i mëparshëm midis Kabinetit të Presidentit me MEPJ dhe shërbimin diplomatik.

U detyruam të bëjmë këtë sqarim të detyruar, për shkak të rëndësisë të vecantë të kësaj cështjeje dhe transparencës ndaj opinionit public, këtij keqinformimi tërësisht të qëllimtë, jo profesional dhe manipulues për opionin publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë.