Vokshi çon në Parlamentin Europian çështjen e Teatrit Kombëtar

Çështja e Teatrit Kombëtar është ngritur si shqetësim nga kryetarja e Komisionit të Kulturës, Albana Vokshi në Parlamentin Europian në Bruksel, ku u diskutua mbi trashëgiminë kulturore në Europë.

Lajme

27/06/2018 11:47

Të pranishëm në këtë diskutim ishin edhe autoritetet më të larta të Bashkimit Europian si kreu i Parlamentit Antonio Tajani dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Në fjalën e saj në Parlamentin Europian, Vokshi apeloi për ruajtjen e Teatrit Kombëtar.

“Arsyeja kryesore pse kërkova fjalën është kjo godinë i përket qendrës së qytetit, e ndërtuar nga arkitekti i famshëm Italian Xhulio Berte, e cila ka qenë për 80 vite Teatri Kombëtar. Aktualisht jemi në javën e tretë të një proteste të përditshme nga artistët para Teatrit sepse qeveria ka vendosur ta shembë. Ne duam të mbrojmë këtë ndërtesë sepse qeveria vendosi ta prishë që t’i japë tokën privatit për të ndërtuar kulla të larta. Kam një apel për ju për të shpëtuar këtë ndërtesë, por edhe t’i kushtoni më shumë vëmendje vendeve si Shqipëria, për të pasur projekte për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, për të lidhur të shkuarën me të ardhmen”, tha Vokshi.

Deputetja shqiptare tha para autoriteteve të larta europiane se trashëgimia kulturore shqiptare është duke u rrënuar.

“Arsyeja pse kërkova fjalën sot është ndarja e një shqetësimi dhe një apel për të gjithë ju. Ndërsa flasim, kati i parë i Bibliotekës Kombëtare është nën ujë pas stuhisë dhe mund të jenë mijëra libra që mund t’i humbasim. Me vete kam edhe disa foto, ura e Hoshtovës dhe Orgockës. Këtu kam edhe një manastir mëse 300 vjeçar në jug të vendit që janë zhdukur për shkak të mungesës së vëmendjes nga autoritetet”, tha Vokshi.