Vokrri takohet me Petkoviqin, hap rrugë për klubet serbe

Fadil Vokrri, priti kryetarin e komunës së Parteshit Dragan Petkoviq.

Sport

24/04/2018 14:38

Duke i dëshiruar mirëseardhje presidenti Vokrri e njohu mysafirin nga Parteshi për zhvillimin e futbollit në Kosovë e në veçanti për angazhimin e tij dhe të FFK-së për përfshirjen e komuniteteve, veçmas atij serb në futbollin e Kosovës.

“Deri më tani përveç disa klubeve serbe, në futbollin e Kosovës kemi shumë futbollistë dhe një gjyqtarë të komunitetit serb. Unë besojë shumë se tashmë është krijuar një klimë e mirëbesimit dhe kushte jashtëzakonisht të mira që të ketë sa më shumë klube të komunitetit serb dhe ne si federatë do t’ju ofrojmë mbështetje”, është shprehur Vokrri duke i kërkuar kryetarit Petkoviq që jo vetëm ai por edhe zyrtarë tjerë të angazhohen në inkuadrimin e klubeve serbe në futbollin e Kosovës si opsioni më i mirë për të ardhmen e tyre.

Nga ana e tij kryetari i komunës së Parteshit, Dragan Petkoviq, duke falënderuar presidentin Vokrri për këtë pritje, ka thënë se “është fat i mirë që në krye të futbollit të Kosovës është një figurë kaq e njohur për futbollin jo vetëm të Kosovës por edhe më gjerë dhe kjo na jep shpresë të besojmë se komuniteti dhe të rinjtë serb mund të kenë besim për një trajtim të njëjtë me të tjerët. Do të punojmë dhe do të angazhohemi ne si komunë e re që ta themelojmë një klub ku do të kishin aktivitetin e tyre talentët e rinj të futbollit nga komuniteti i jonë”.