Vokrri: Januzaj mund të luajë për Kosovën

Fadil Vokrri thotë se zgjedhja e Adnan Januzajt për të luajtur për Belgjikën duhet të respektohet. Mirëpo, kreu i futbollit kosovar pret që pas pranimit të Kosovës në FIFA e UEFA, 19 vjeçari ta zgjedh Kosovën.

Sport

24/04/2014 12:00

Rreth vendimit të Adnan Januzajt për të luajtur me Belgjikën ka folur edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Ish futbollisti i famshëm thotë se vendimi i 19 vjeçarit duhet të respektohet, derisa i uroi suksese me Kombëtaren belge.

“Zgjedhja e Adnan Januzajt duhet të respektohet, sepse bëhet fjalë për zgjedhje në aspektin sportiv. Do të thotë shumë për karrierën e tij pjesëmarrja në Botërorin e verës, sepse në Kampionate Botërore nuk mund të marrësh pjesë çdo vit”, deklaroi Vokrri për “Zëri”.

“Por, e mira e gjithë çështjes ‘Januzaj’ është se pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, ai do të mund të rizgjedh sërish se për kë dëshiron të luajë, Belgjikën apo Kosovën”, përfundoi kreu i futbollit kosovar.