VMRO-DPMNE e BDI “gatuajnë” qeverinë e re, Thaçi ironizon

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi përsërit se subjekti që ai drejton do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Ai madje ka ironizuar takimet e e Ahmetit me Gruevskin, duke theksuar se BDI-ja takohet me Gruevskin vetëm sa për t’i puthur dorën. 

Lajme

04/05/2014 16:37

Sipas Thaçit BDI-ja nuk zhvillon kurrfarë bisedimesh me qeverinë. “Ata shkojnë tash te Gruevski vetëm për t’ia puthë dorën. E përsëris, sa i përket BDI-së dhe Ali Ahmetit, nuk i bëj hesap, ne jemi pjesë e qeverisë. Unë, në kuadër të këtyre bisedimeve kam disa gjëra mbi të cilat nuk mund të kaloj. Ata nuk paraqesin kurrfarë problemi”.

“Mua më impresionon vetëm kur i kam përballë maqedonasit  dhe sa më shumë t’u marrë hise. Sa më shumë t’u marrë atyre dhe t’u jap shqiptarëve. Kjo është beteja ime. Kjo është beteja jonë e gjithë neve”, ka thënë kreu i PDSH-së.

Mirëpo, si transmemton Alsat-M, prej së enjtes, grupet e punës të BDI-së dhe VMRO-së vazhdojnë negociatat rreth formimit të mundshëm të qeverisë së re. Se çfarë përmban kjo platformë, nga BDI nuk japin detaje edhe pse theksojnë se nuk kanë ndërmend të lëvizin nga prioritetet e tyre, integrimi i shpejt i vendit në strukturat euroatlantike dhe avancimi i statusit të shqiptarëve në Maqedoni. Por, numri i resorëve dhe emrat e kuadrove pritet të jenë temë bisedimesh në një fazë të mëvonshme.

Grupi i punës i BDI-së kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i partisë, Abdilaqim Ademi, ndërsa pjesë e tij janë edhe Musa Xhaferi, Fatmir Besimi, Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Bujar Osmani, Artan Grubi dhe Adnan Jashari.

Në mandatin e fundit BDI-ja kishte 2 zëvendëskryeministra, 5 ministra dhe 4 zv/ministra, nënkryetar parlamenti, si dhe disa sekretarë shtetërore dhe disa drejtori.