Vlorë, gjendet një trup i pajetë në lumin Shushicë

Autoritetet në Vlorë kanë gjetur mëngjesin e kësaj të marte trupin e pajetë të një personi, i cili një ditë më parë ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet me familjarët e tij.

Lajme

16/02/2016 10:35

Burime policore lokale bëjnë të ditur se i ndjeri është identifikuar si shtetasi me inicialet H.K, 67 vjeç dhe banues në fshatin Tërbaç.

Nga të dhënat e mbledhura rezulton se 67-vjeçari, rreth orës 9 të ditës së djeshme kishte dalë nga banesa me një kafshë, përmes të cilës do të kalonte lumin Shushicë për të arritur në stanin e tij.

Por që prej atij momenti familjarët e tij nuk janë lidhur dot më me të dhe disa orë më vonë kanë lajmëruar policinë.

Policia e ka gjetur atë të pajetë mëngjesin e së martës dhe nga mbikëqyrja paraprake e trupit dyshohet që ai të ketë rënë nga kafsha teksa kalonte lumin dhe të jetë mbytur./ Top Channel