Vlora e shokuar nga deklarata e Lunacek

Ministres së Integrimeve, Vlora Çitaku, nuk i kanë pëlqyer fare deklaratat e Eurodeputetës Ulrike Lunacek lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Thotë të jetë shokuar dhe se do të shkojë në Bruksel për të kërkuar sqarime.

Lajme

23/01/2014 20:48

Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, ka thënë se është e shokuar nga deklaratat e raportueses për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, se liberalizimi i vizave për Kosovën mund të mos ndodhë as gjatë dy ose tre vjetëve të ardhshme.

Ajo tha se Qeveria ka punuar me përkushtim në këtë proces.

Sipas saj, procesi i liberalizimit të vizave nuk lidhet me afate kohore por me përmbushjen e kritereve të caktuara nga vetë Bashkimi Europian.

“Për mua ka qenë shokuese deklarata e Europarlamentares Lunacek, para së gjithash për shkak se procesi i liberalizimit të vizave nuk mund të lidhet me afate kalendarike. Procesi i liberalizimit të vizave lidhet me përmbushjen e kritereve.”, ka thënë Çitaku për RTK.

“Kosovës i janë dhënë kritere dyfish më shumë sesa vendeve të rajonit, mirëpo Kosova, të gjitha institucionet, parlamenti, komunat, institucionet e pavarura,  kanë punuar shumë tani e dy vjet, që të përmbushin kriteret e udhërrëfyesit”.

Çitaku ka thënë se javën tjetër do të udhëtojë në Bruksel, ku do të kërkojë sqarime për këto deklarata.

“Ne jemi zënë të befasuar, personalisht edhe e shokuar, dhe kam kërkuar që të shkoj në Bruksel, që kjo çështje të sqarohet”, ka thënë Çitaku për RTK.

 

(Kosovapress)