Vlora Çitaku: Për liberalizimin e vizave, fati është në Bruksel

Ministrja Vlora Çitaku thotë se Kosova ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj karshi procesit të liberalizimit të vizave. Glauk Konjufca thotë se Qeveria ka dështuar të përmbush disa kritere.

Lajme

01/04/2014 07:23

Kosova dhe Bashkimi Europian pritet që këtë vit të përmbyllin negociatat tenike sa i përket liberalizimit të vizave, e ndërkaq Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon, i izoluar, pa liberalizim të vizave.

Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku përsërit se nga pala kosovare janë përmbushur të gjitha detyrimet e dala nga ky proces.

Ajo në një deklarim për “Zëri” ka thënë se pret raportin e misionit faktmbledhës që ishte në Kosovës dhe se  “Kosova i ka përfudnuar detyrime dhe tani kushtimisht po them se fati është në Bruksel”.

“Në këtë muaj në Kosovë ka qëndruar një Mision Faktmbledhës dhe ne presim që ata ta përfundojnë raportin e tyre dhe të na e dorëzojnë ne si Institucion.”

“Jemi konfident që detyrimet karshi procesit të liberalizimit të vizave i kemi përmbushur, pavarësisht faktit se kërkesat karshi Kosovës kanë qenë  shumëfish më të mëdha sesa për vendet e rajonit”.

“Ne i kemi përfunduar detyrimet tona dhe tani kushtimisht po them se fati është në Bruksel”.

Ndërkaq, Glauk Konjufca e sheh procesin e liberalizimit të vizave në dy rrafshe. Në rrafshin e parë thotë ai është përgjegjësia e Qeverisë së Kosovës, ku pohon se kjo e fundit nuk ka plotësuar të gjitha kriteret.

“E para nuk mendoj se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave sepse ky proces kërkon përmbushjen e kritereve teknike e në disa prej tyre Qeveria e Kosovës ka pasur dështime të qarta dhe konkrete. E njëri prej dështimeve është pasaporta biometrike”.

Ndërkaq, në rrafshin e dytë, Gonjufca përmend përgjegjësinë që ka BE-ja në këtë proces.

“E dyta ka të bëjë me faktin se cilat janë përgjegjësitë e BE-së. Mendoj që nuk është pa përgjegjësi edhe BE-ja. Me këtë dua të them se do të kishte tendencë të madhe edhe nëse Kosova do t’i kishte përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Për aryse se politikat sociale dhe ekonomike të qeverisë së Kosovës janë të atilla që janë nxitëse të migracionit masiv për në vendet që i kanë më mirë punët se Kosova”, tha Konjufca për “Zëri”.

E profesori, Emrush Ujkani thotë se është optimisit për përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, por se ai thotë  nuk pret që në këtë proces të arrihet diçka këtë vit.

“Kosova nuk i ka përmbushur kriteret ndërsa sa i përket kësaj, unë jam optimist për përmbushjen e tyre. Mos të harrojmë se jemi në vit zgjedhor edhe në Kosovë edhe në BE dhe kjo sigurisht që do të ketë ndikimin e vet. Nuk jam optimist se do të arrihet diçka brenda këtij viti, sepse ka edhe shumë për tu bërë”, tha Emrush Ujkani për Zëri.