Vllasi: Ngjarjeve në Maqedoni “i vjen era” ndikim serb dhe rus

Ngjarjet e fundit në Kumanovë tregojnë se bëhet fjalë për një skenar të përgatitur nga strukturat e errëta të zbulimit nga anash dhe me përkrahjen e autoriteteve të Maqedonisë, ndërsa janë drejtuar kundër shqiptarëve dhe kundër opozitës maqedonase, ka deklaruar Azem Vllasi.

Lajme

16/05/2015 09:12

Duke komentuar konfliktin e armatosur mes Policisë maqedonase dhe grupeve të shqiptarëve të armatosur, Vllasi i ka thënë Agjencisë së lajmeve Anadolu se do të shihet më vonë se kush është i përfshirë dhe me çfarë roli në gjithë këtë çështje, por ka shtuar se karakteri i këtyre ngjarjeve duhet të vlerësohet sipas asaj se kujt kjo i sjell dobi, e kujt dëm.

“Më së shumti dëm u sjell shqiptarëve në Kumanovë, të cilët janë në pikën më të eksponuar verilindore të Maqedonisë, dëm u sjellë gjithë shqiptarëve në Maqedoni, por edhe atyre në Luginën e Preshevës, si dhe shqiptarëve në përgjithësi. Shqiptarët në këtë moment nuk kanë nevojë për kurrfarë përplasjesh të armatosura, as afër kufijve as në territoret e shteteve fqinje.

Dëm kjo i sjellë edhe opozitës së Maqedonisë, e cila kohët e fundit ka nxjerrë në dritë shumë nga të palarat e pushtetit, ndërsa dobi i sjellë Qeverisë maqedonase dhe vetë (kryeministrit Nikolla) Gruevskit, sepse krejt kjo duhet të hedhë në hije ato që për të i zbulon opozita”, ka thënë Vllasi.

Vllasi ka theksuar edhe se krejt kësaj “I vjen era” sikur aty janë përzier qarqet e zbulimit nga Rusia, Serbia dhe forcat proruse e proserbe në Maqedoni. Ai më tutje thekson se është për t’u pritur që autoritetet maqedonase do të vazhdojnë me represionin ndaj shqiptarëve, kinse në ndjekje të terroristëve, andaj edhe është reale të pritet edhe represion i autoriteteve të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, po ashtu, gjoja në ndjekje të terroristëve.

Sipas mendimit të tij, partia Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit, që është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë, më shumë kujdeset për interesat e veta dhe pozitën e saj në Qeveri, se që është e lidhur drejtpërdrejt me popullatën shqiptare në të gjitha pjesët e Maqedonisë.

“Nuk e kam përshtypjen se po mundohen shumë për të vendosur kontroll të plotë mbi sjelljen e shqiptarëve atje dhe realizimit të interesave të shqiptarëve atje, të cilët tani munden që përmes rrugëve institucionale dhe politike të realizohen, sepse ky nuk është viti 2001 kur shpërthyen përplasjet e armatosura për shkak të situatës së rëndë të shqiptarëve”, tha Vllasi.

Vllasi shtoi se vlerëson që reagimet e para të autoriteteve në Kosovë ishin korrekte, sepse bëjnë thirrje për qetësim, përmbajtje dhe dënojnë çdo dhunë.

Por, ai konsideron që autoritetet kosovare, sikur ato në Shqipëri, duhet të jenë më të drejtpërdrejta në kualifikimin se ngjarjet në Kumanovë janë kundër interesave të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në rajon, sepse paqja në Maqedoni, Shqipëri, në Kosovë dhe tërë rajonin, më së shumti u konvenon dhe u duhet pikërisht shqiptarëve.