Vllasi: Liderët politikë po tregojnë papërgjegjësi ndaj vendit dhe qytetarëve

Analisti i çështjeve politike Azem Vllasi , ka thënë se klasa politike me qëndrimet e tyre gjatë pesë muajve të fundit, ka treguar papërgjegjësi ndaj vendi dhe qytetarëve. Vllasi për lajmi.net ka thënë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lajme

06/11/2014 12:38

Kosova tash e pesë muaj gjendet në një krizë politike për shkak të një mos arritjes së një marrëveshje nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për formimin e institucioneve.

Por ky qëndrim i tyre i cili po e futë vendin ç’do ditë e më shumë në krizë, sipas analistit Azem Vllasi, tregon papërgjegjësinë e politikanëve kosovarë ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Vllasi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se qëndrimet e tyre tregojnë se klasa politike pushtetin e shohin si mundësi për realizim të ambicieve të tyre personale.

“Sjelljet e tyre për këta pesë muaj, tregojnë se këta nuk kanë përgjegjësin e duhur për shtet dhe për popull. Nuk e shohin pushtetin në funksion të shtetit dhe popullit, por pushtetin e shohin si instrument për nevoja dhe ambicie personale karrieriste”.

“Shumë lehtë do të ishte një zgjidhje për këtë situatë tash e pesë muaj, po këta janë pozicionuar në luftë për pushtetet”.

“Këta qe e kanë pasur deri tash pushtetin, dëshirojnë me mbajt me ç’do kusht, këta që janë rreshtuar me marrë pushtetin dëshirojnë me marr me ç’do kusht”.

“Arsyetimet e tyre, absolutisht të njëjta, duke argumentuar pozicionin e vet, që sa muaj shkaktojnë një stres kolektiv tek opinioni”, ka thënë Vllasi për lajmi.net.

Njohësi i çështjeve politike Azem Vllasi duke folur për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, ai është shprehur se kjo është e mundshme duke parë qëndrimet e dy taborëve por, sipas tij, kjo nuk është zgjidhja më e mirë.

Ai ka thënë se zgjedhjet mund të shmangen nëse partitë politike bëjë një rirreshtim ku edhe me ndërmjetësimin e presidentes Jahjaga arrijnë ndonjë marrëveshje.

“Këta janë pozicionuar në dy anë, në pozita të pa kompromis të pa lëvizshme, dhe në këtë situatë, të dy anët në këtë mënyrë janë duke e shtyrë procesin deri në përsëritjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

“Zgjedhjet nuk janë zgjidhja më e mirë, por si duket do të jenë zgjidhja e vetme dhe e detyrueshme”.