Vllahiu: Pyetni liderët politikë pse s’u ftua Vetëvendosje, jo Jahjagën

Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu ka thënë se fajin pse lideri i Vetëvendosjes nuk ka figuruar në takimin e liderëve me presidenten Atifete Jahjaga nuk e ka presidentja Jahjaga. Sipas tij, kanë qenë liderët politikë ata që kanë kërkuar takimin me presidenten.

Lajme

07/05/2014 00:57

Vllahiu ka thënë se Jahjaga edhe pas këtij takimi e ka ruajtur rolin e saj të faktorit të unitetit politik.

Ai në emisionin “Interaktiv” në KTV ka thënë se dera e presidentes është e hapur për të gjithë, ashtu siç ka qenë edhe për minoritetet pak ditë më parë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës ka ruajtur rolin e saj, të faktorit të unitetit politik. Ajo i ka pritur dhe ka dëgjuar të gjitha shqetësimet, kërkesat e katër liderëve politikë para saj”.

“Absolutisht, kjo ka qenë kërkesë e liderëve politikë. Ata kanë kërkuar të vijnë në zyrën e Presidencës, të diskutojnë dhe të shtrojnë temat që kanë dashur t’i diskutojnë”.

“Si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, dera e Presidentes është e hapur për të gjithë, siç ka qenë edhe për minoritetet”.

“Pikërisht veprimi i sotëm i Presidentes së Republikës së Kosovës tregon se ajo është respektuese e plotë e Republikës së Kosovës. Presidentja po e luan rolin e faktorit të unitetit politik në Kosovë”.

“Duhet t’i pyesni ata që kanë qenë në organizim të krejt kësaj dhe jo Presidenten”, ka thënë Vllahiu në Interaktiv.