Vlerësohen përgatitjet zgjedhore

Bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit janë intensifikuar në Bruksel. Një takim për zgjedhjet përfundoi, nisi një për zyrat ndërlidhëse ndërsa në radhë është takimi për lëvizjen e lirë.

Lajme

01/10/2013 19:37

Në Bruksel ka përfunduar takimi mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë që kishte në fokus zgjedhjet lokale të nëntorit, të cilat sivjet pritet të shtrihen dhe në pjesën veriore të dominuar nga serbët.

Zyrtarisht u njoftua për përfundimin e takimit, por nuk u tha nëse ka pasur ndonjë pajtim, apo përafrim, për çështjet që ndërlidhen me mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në veri, sipas marrëveshjes së 19 prillit mes Kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Dacic.

Në njoftimin zyrtar thuhet se në ditën e parë të bisedimeve teknike në Bruksel të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian u diskutua mbi çështjet e zgjedhjeve lokale, të doganave dhe për zbatimin e marrëveshjes për zyrat ndërlidhëse mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

“Punimet e grupit punues për zgjedhjet përfunduan, ndërsa çështjet tjera do të vazhdojnë të diskutohen gjatë ditëve në vijim”.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar pas takimit  se për çështjet e zgjedhjeve lokale në Bruksel u vlerësua në mënyrë pozitive procesi i përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 3 nëntori si dhe u riafirmua qëndrimi se zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen sipas parimeve demokratike.

“Të jenë të lira dhe të drejta, në pajtim me Ligjet e Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare, ashtu sikurse që përcakton Marrëveshja e Brukselit e datës 19 prill 2013”.

Tahiri ka thënë se në takim ka theksuar rëndësinë që fushata zgjedhore të zhvillohet në një frymë demokratike dhe kritikoi dukuritë e shfaqjeve provokative dhe nacionaliste nga zyrtarë të Serbisë në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Kam potencuar rëndësinë e respektimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe kontributin që duhet të ipet për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore duke respektuar dhe zbatuar në plotëni marrëveshjen e Brukselit. Në takim palët u dakorduan që procesi i zgjedhjeve lokale është një rrugë demokratike që u mundëson qytetarëve zgjedhjen e subjekteve dhe kandidatëve të preferuar, dhe u bë thirrje për një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje”.

Ndërsa sa i takon takimit për çështjet e Doganave, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka njoftuar se është biseduar për çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes për doganat, dhe procesi e përgatitjeve lidhur me Fondin për zhvillim si dhe për pengesat për lëvizjen e lirë që vazhdojnë të jenë prezentë në pjesën veriore të Kosovës.

Në këtë kuadër,  ajo theksoi se ka ngritur shqetësimet lidhur me pengesat e vazhdueshme për lëvizjen e lirë në pjesën veriore duke përmendur sidomos rastin e sulmit mbi stafin e EULEX’it me ç’rast humbi jetën një pjesëtarë i EULEX’it si dhe rastin e sotëm kur të ashtuquajturat Mbrojte civile përmes një barrikade pengoi kalimin e doganierve dhe policëve të Kosovës në rrugë për në pikën doganore në Jarinje.

Tahiri ka kërkuar  nga pala serbe që të respektoj marrëveshjen për doganat me të cilën duhet të ndodh lëvizja e papenguar e autoriteteve të Kosovës, ndërkohë që kërkoi nga BE’ja angazhime shtesë që të zgjidhet edhe çështja e transportit rrugor për pikëkalimin kufitar në Bërnjak.

Aktualisht po vazhdojnë bisedimet për vlerësimin e zbatimin e marrëveshjes për zyrat ndërlidhëse, ndërsa nesër vazhdojnë bisedimet për çështjet e doganave.

Të enjten do të mbahet takimi lidhur me çështjet e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen së lirë.