Vlerat Perëndimore janë dorëzuar

Orhan Pamuk akuzon vendet perëndimore për gjendjen në Egjipt. Thotë se këto vende nuk kanë pranuar grusht-shtetin si mjet që zgjidh konfliktet politike.

ShowBiz

21/11/2013 16:06

Nobelisti turk i letërsisë, Orhan Pamuk, ka thënë se është duke përcjellë për së afërmi zhvillimet në Egjipt, që po i përngjajnë një grusht-shteti të organizuar nga Abdel Fattah al Sisi – ngjashëm sikurse me novelën e famshme të Gabriel Garcia Marquez’it “Kronika e një Vdekjeje të Paralajmëruar”.

Novela e Marquez’it, e shkruar në vitin 1981, rrëfen vrasjen e një njeriu nga Kolumbia, dhe fokusohet në personazhet që janë si spektatorë që kanë ndjenjën e fajësisë mbi atë incident.

Pamuk iu referua librit në një intervistë të publikuar nga e përditshmja gjermane Suddeutsche Zeitung, në të cilën ai gjithashtu akuzon vendet perëndimore për “tradhti ndaj vetë vlerave të tyre” për grusht-shtetin në Egjipt.

“Al-Sisi njoftoi botën se do ta organizojë një grusht-shtet, dy ditë përpara se ushtria ta merrte kontrollin. E gjithë Bota, posaçërisht Perëndimi, e kthyen kokën dhe nuk dëshiruan të dëgjonin gjë”.

Duke theksuar se ushtria egjiptiane ishte duke vrarë njerëzit e saj, Pamuk shtoi se jo vetëm Qeveria e SHBA’ve dhe e BE’së, por mbarë shoqëria perëndimore u soll në atë mënyrë sikur donin të thoshin se në Egjipt “nuk kishin përgjegjësi”.

Ai tha se përkundër zvogëlimit të ndikimit të Perëndimit në shtetet arabe, pas Pranverës Arabe, shtetet perëndimore prapë mund që të thoshin “JO” dhe kanë mundur “që pa dyshim të thonë se një grusht-shtet nuk mund të jetë mjet për një konflikt politik”.

“Vlerat Perëndimore, që kanë ideale siç është demokracia dhe të drejtat e njeriut, ose ekzistojnë ose janë dorëzuar përpara kalkulimeve politike dhe ekonomike”, tha laureati i Çmimit Nobel, duke theksuar se organet e rëndësishme politike në botën perëndimore nuk ishin në gjendje që të përshkruanin situatën si “grusht-shtet” edhe pas dy ditësh.