Vlera shumëplanëshe e një libri universitar

Të repektuar kolegë, miq e pjesëmarrës! Promovimi i teksteve universitare si ky që po promovojmë sot, “Zhanret e gazetarisë” i Prof. Bajram Kosumit, në çdo rast paraqet një akt solemn të respektit tonë ndaj dijes.

Opinion

16/11/2016 09:17

Por, në ambientin antidituror si ky yni, ku manifestimi i dijes në këso nivelesh manifestohet vetëm në ndonjë rast të rrallë e nuk është dukuri, vlera e promovimeve të këtilla bëhet edhe më e madhe. Promovimi i tillë është rast që të reflektohet nga secili prej nesh si mësimdhënës, jo vetëm për pengesat që na dalin përpara, po edhe për mundësitë që kemi në dispozicion, që studentëve t’u ofrojmë në gjuhën në të cilën studiojnë, libra origjinalë dhe cilësorë, në pajtim me programet e tyre studimore.

Promovimet e këtilla janë rast që të reflektohet veçmas lidhur me injorimin kronik, që është duke ua bërë Universiteti i Prishtinës nevojave të studentëve, që të kenë libra universitarë cilësorë në gjuhën shqipe, në pajtim me programet studimore, të pajisur me hulumtime e konkretizime edhe nga realiteti ynë shoqëror, ekonomik, kulturor, shëndetësor, medial, etj.

Pa dashur aspak që ta ndryshoj tonin solemn të këtij promovimi, më duhet të theksoj se në këtë kontekst nuk është pa mesazh fakti që ky libër është botuar nga kolegji privat UBT, (i cili meriton respekt për këtë punë) e jo nga Universiteti publik i Prishtinës, ku është ngjizur historia e këtij libri dhe ku realisht ai është formësuar, për nevojat direkte të studentëve të UP-së, gjë që është sqaruar nga autori në parathënien e librit.

Në këtë parathënie autori e ka skicuar biografinë e librit, duke e vënë edhe në një ballafaqim interesant angazhimin akademik me angazhimin politik: “ Kur u gjenda përballë studentëve, kur pashë se si ata i mbanin sytë tejet të hapur, sikur donin të përpinin me sy ato që ligjëroja, kur kuptova dallimin e madh midis një fjalimi politik dhe të një ligjërate për studentët, atëherë u binda përfundimisht se kjo marrëdhënie ia vlente një mijë herë më shumë se marrëdhënia me politikën e egër”. Pra, mund të thuhet se ky libër i shkëlqyeshëm universitar është shkruar me respekt dhe dashuri sublime për studentët e motivuar për të nxënë dije, nga të cilët autori ka kuptuar se sa shumë ia vlen të punosh me pasion për ta.

Të gjithë ne që punojmë me Prof. Bajramin, në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e dimë saktë se kjo që ka shkruar në parathënie, nuk është një fjalë goje, nuk është një revansh ndaj politikës, po është një transformim i ndërgjegjshëm, një sjellje e përditshme, një punë e vazhdueshme, në shërbim të studentëve dhe të diturisë.

Libri ‘Zhanret e gazatarisë” vërtet është edhe fryt i këtij komunikimi aktiv mes mësimdhënësit e studentëve të tij. Meqë libri është i shkruar për studentët e gazetarisë, në rend të parë, pra për një komunitet të fokusuar në raport me gazetarinë, nuk do ta përimtoj komentimin dhe analizën profesionale të tij para një publiku kaq të larmishëm, përnga vokacionet profesionale.

Vetëm po u kumtoj se sa i përket strukturimit, libri është brenda kritereve rigoroze akademike, sikundër që tipologjia e zhanreve është e standardizuar dhe e verifikueshme me shembuj, konkretizime e diskutime kritike. Megjithatë, po ndalem shkurtazi në dy çështje. E para, ndarja e gazetarisë në katër zhanre: gazetaria informative, gazetaria analitike, gazetaria publicistike dhe ajo argëtuese, përthekon gjithë aktivitetin e këtij profesioni dhe të kësaj praktike.

E dyta, autori i ka paraqitur secilën me sfond teorik, me tipologji e me ilustrime nga praktika e medieve shqipe, gjë që studentëve u ndihmon që të kuptojnë më mirë jo vetëm elementet tipike të një zhanri e dallimet e tij me zhanret e tjera, po ua rritë edhe mundësinë që ta kuptojnë në çfarë nivelesh profesionale është gazetaria shqipe sot, e vështruar edhe në sfondin e saj zhanror. Në fakt, vështirësia më e madhe me librat e autorëve të huaj që përdorim, si libri i Misuri Grup, libri i Melvin Mensherit, etj., buron nga shembujt dhe nga detyrat praktike, të cilat janë të largëta nga realiteti i gazetarisë dhe medieve tona.

Prandaj, vlera e këtij libri universitar të Prof. Kosumit edhe në këtë aspekt është e madhe, sepse ua ofron studentëve dijen në kontekstin aktual të gazetarisë shqipe. Kësisoj, dija ofrohet si dije aktuale dhe e aplikueshme, e jo si ndonjë dije e tejkaluar, siç do të thoshte Karl Poperi.

Pikërisht këtu është rasti të thuhet se dija e tejkaluar, e cila është mjaft prezente në universitetet tona, mund ta rritë hendekun ndërmjet të menduarit teorik dhe realitetit, madje mund ta deformojë edhe procesin e të menduarit logjik e kritik.

Milton Fridmani, kur flet për shkakun e ligjeve të këqija që miratohen, pohon se ato janë pasojë e faktit që dija e ligjvënësve zakonisht është e vonuar së paku për 20 vjet, pra e tejkaluar nga realiteti. Jo vetëm ligjet po edhe universitetet bëhen të mira kur arrijnë të ofrojnë dije aktuale, të verifikueshme, kritike e të aplikueshme, ndërsa mbeten të dobëta ato universitete, që ofrojnë dije të skaduar, jokritike dhe të pazbatueshme. Për këtë projekt që po e promovojmë sot si një libër mirëfilli universitar, me Prof.

Bajramin kemi biseduar shpesh, derisa e konceptonte dhe deri sa e shkruante. Pasioni me të cilin i prezentonte argumentet, më pati dhënë me kohë bindjen se po synonte ta realizonte një projekt shumë serioz. Në formën që e kemi para vetes, ky libër universitar vërtet është një realizim sa serioz, aq edhe aktual, prandaj besoj se do të gjejë përdorim në të gjithë hapësirën universitare shqiptare.

Me kusht që ajo të mos vazhdojë të mbetet e izoluar, e fragmentar, provinciale dhe klienteliste. Autorit i uroj sukses e shëndet, i bindur se përkushtimi për studentët dhe pasioni për dituri të vërtetë, do ta shtyjë edhe më tutje përpara, drejt zbërthimit të enigmave të reja të dijes në fushën e gazetarisë e komunikimit, por pa e shmangur edhe studimin e botës madhështore të artit letrar, atje ku mbase rrahin edhe më shumë dallgët e pasionit të tij, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si studiues.

Përfundimisht mund të them se edhe në librin “Zhanret e gazetarisë” të Prof. Bajram Kosumit na zbulohet vlera e madhe e studimeve interdisiplinare. Jam i bindur se pa njohuritë e mëdha të autorit në fushën e studimeve filologjike, ku bën pjesë edhe studimi i zhanreve letrare, ky libër nuk do të mund ta kishte kurrë nivelin e lartë që e ka. Prandaj edhe nga perspektiva e tillë, pra e qasjes interdisiplinare, ky libër universitar është një model i shkëlqyer. Natyrisht kjo vlen për ata që e dinë vlerën e studimeve interdisiplinare. Jo për ata që kujtojnë se shkencë është vetëm tabela e shumëzimit. (Fjalë promovuese për librin universitar “Zhanret e gazetarisë” të Prof. asoc. Dr. Bajram Kosumit, 15 nëntor 2106)