Vlera e Shtetit

Shkurt e shqip, ne ende nuk jemi të gatshëm të flasim ndershëm, sinqerisht, pa zemërim dhe pa ekzaltim, për shtetin e Kosovës, as në ditëlindjen e tij.

Opinion

19/02/2014 08:18

Çfarë ndjejmë, si shqiptarë të Kosovës, me 17 shkurt, kur e shënojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës? A munden këto ndjenja, së paku në këtë ditë, të dalin në trajtën e tyre më të çiltër, të pastruara, bile në çdo 17 shkurt, prej emocioneve të rëndomta politike, duke hequr dorë, në këta 24 orë, prej syzeve me dioptri të theksuar partiake dhe politike, ku dukuritë kosovare nuk njohin shumëllojshmërinë e ngjyrave, veç asaj skemës së njohur bardh dhe zi, në varësi prej kampit politik dhe orientimit personal në këtë shoqëri?

Në këto pyetje, në fakt, përgjigjet janë dhënë tashmë, sepse këtë të hënë pra, këndejpari bëmë atë që klasifikohet si kremtimi i Ditës së Shtetit të Kosovës.

Vizituam varreza të dëshmorëve dhe burrështetasve, mbajtëm mbledhje dhe pritje solemne, organizuam parakalime dhe koncerte në sheshin e Prishtinës, dhe folëm shumë dhe gjerë e gjatë për gjithë historinë tonë të moçme dhe të re, e cila u konkludua në shkurtin e acartë të vitit 2008.

Pati lëvdata dhe sharje, pati deklarata të shumëllojshme, thellësisht kundërshtuese, ku të gjitha këto, si rëndom, bashkohen tek një qëndrim në masë të madhe mbizotërues, që dëshmohet si mungesë e aftësisë sonë për ta bërë veçimin e qartë të pushtetit dhe shtetit, të qeverisjes me një vend dhe vetë vlerës sipërore që ai vend tash e gjashtë vjet ka me organizimin e tij politik si Republikë.

Shkurt e shqip, duket që ende nuk jemi të gatshëm të flasim ndershëm, sinqerisht, pa zemërim dhe pa ekzaltim, për shtetin e Kosovës, as në ditëlindjen e tij. E lëre më në ditët e tjera.

Thuhet, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën fare të zakonshme, gjithçka, kur bëhet vlerësimi i një dukurie, varet nga pikëshikimi dhe nga krahasimi.

Pikëshikimi vendos raportin tënd me vetveten, sepse nga një situatë ku ke qenë më parë, apo, duke marrë parasysh atë situatë a gjendje që dëshiron ta mbërrish në të ardhmen, provon ta shikohesh në pasqyre si individ, si familje, si shoqëri dhe si shtet.

Krahasimi vendos raportet e matjes tënde me të tjerët e llojit tënd: Kështu ndodh edhe kur shteti i Kosovës vihet në relacione të krahasimit me shtetet tjera të rajonit.

E pra, siç na përkujtuan televizionet tona gjatë gjithë ditës së lume të 17 shkurtit, ai pikëshikimi i periudhës së rëndë dhe tragjike të luftës të viteve 1998, 1999, nuk ka si të mos na bëjë të gjithë neve ngadhënjyes politik dhe historik, duke mbërritur, objektivisht, të gjithë së bashku tek konkludimi: Mirë jemi, ku kemi qenë. Këtë nuk duhet harruar kurrë.

Por kjo porosi që thërret amshimin e kujtesës, mënjanohet pas vetëm disa çasteve, kur para nesh dalin pamjet e Kuvendit të Kosovës, të 17 shkurtit, 2008, kur u shpall shteti i pavarur i Kosovës.

Tash ndryshon pikëshikimi. Shumë madje. Në atë pasditen e një të diele të madhe, më të madhes në historinë e Kosovës, shqiptarët e panë shtetin e Kosovës si një shtëpi dhe si një votër për të gjithë, si një vend pune për secilin, si një standard jetësor që njeh një kërcim cilësor për çdo qytetarë, si një hapje udhësh për të katër anët e Botës, si një certifikatë finale e fatit përfundimtar individual dhe kolektiv të të gjithë neve.

Nuk ka mundur të jetë ndryshe. Aq shumë është dhënë, është bërë, është flijuar për shtetin e Kosovës, saqë është pritë që tash e tutje, shteti i Kosovës do t’i bëjë të gjithat (që duhen), për qytetarët e vet.

Konkludimi që del mbizotërues nga ky pikëshikim është: Nuk jemi mirë. Është dashtë të bëhet shumë më tepër. Kosova sot është ende larg Evropës. Ka tepër shumë krim dhe korrupsion në këtë vend. Ka shumë rrena dhe mashtrime në këtë shtet. Ka dallime sociale më shumë se kurrë, ka tepër shumë të papunë, nuk ka rrugë të çelur për Perëndim.

Para gjashtë vjetësh ishim mbushur shpresë në masë 100%. Sot raporti i zhgënjimit me shpresën shfaqet si paralajmërim kërcënues për stabilitetin e shtetit të Kosovës.

Ky përfundim në masë të madhe na shfaqet edhe sipër krahasimit me shtetet e tjera të rajonit.

Jemi të fundit në Ballkan. Të fundit në Evropë. Të fundit në historinë tonë.

Mbase, nuk ka mundur të jetë ndryshe.

Nuk na falet, megjithatë, të jemi të parët në mohimin e vetes.

E ne e bëjmë këtë gjë, e mohojmë veten, kur nuk e çmojmë, kur nuk e duam, kur nuk e vlerësojmë shtetin e Kosovës.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)