VLAN gati për seancën e 9 tetorit, PDK e cilëson provokim

Deputetët e Bllokut VLAN janë bërë gati për të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, të thirrur për 9 tetor. Por, PDK nuk do të jetë e pranishme atë ditë në Kuvend, pasi këtë gjë e vlerëson si provokim dhe jo shans për tejkalim të ngërçit.

Lajme

06/10/2014 16:54

Deputetët e VLAN me 62 nënshkrime kanë thirrur vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendin e Kosovës për datën 9 tetor.

Atyre tashmë u janë dërguar ftesat për seancë nga Sekretaria e Kuvendit. Këtë gjë e ka konfirmuar për lajmi.net, zyrtari për informim në Vetëvendosje Erzen Vraniqi.

“Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë marrë ftesat për seancën nga Sekretaria e Kuvendit”.

I pyetur se nëse Blloku në seancën e 9 tetorit do të procedojë me pikën për zgjedhjen e Kryeparlamentarit apo thjesht do të zhvillojë debat, Vranqi ka thënë se kjo gjë ka mbetur që të vendoset në një takim paraprak që do të kenë liderët e VLAN.

“Për pikat e rendit e rendit të ditës dhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do të vendoset në një takim para seancës me bllokun VLAN”, ka thënë Vraniqi.

Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Sadri Ferati thotë për lajmi.net se ai personalisht ende nuk e ka shikuar postën e tij nëse i ka ardhur ftesa për këtë seancë.

“Të them të drejtën nuk kam pas qasje në kutinë e njoftimeve për deputetët sepse ishte festë dhe nuk e di a ka ardhur. Në formë elektronike nuk kam marrë asnjë ftesë ende”.

Ai thotë se nuk e di se si do të procedohet, por thotë se para një jave mendimi në VLAN ka qenë që seanca të thirret në mënyrë që aty të mund të debatojnë edhe PDK-ja edhe VLAN, por sipas tij, PDK deri më tani i ka ikur debatit.

“Jo nuk e di. Nuk kemi pasur biseda sepse nuk po e dimë edhe zyrtarisht se a është konfirmuar seanca dhe nuk kemi pasur biseda që të shohim se si do të shkojmë më tutje. A do të procedohet në zgjedhjen e Kryeparlamentarit apo do të pritet edhe njëherë PDK-ja. Kërkesa jonë e mëhershme ka qenë që të hapet një debat, të diskutohet dhe qytetarët të dëgjojnë argumentet të të dyja palëv, por dhe propozimet se si të dilet nga kjo situatë. Deri më tani PDK-ja i ka ikur debatit. Interesimi jonë para një jave ka qenë që të hapet një debat në mënyrë që qytetarët të dëgjojnë se cilat janë argumentet”, ka thënë Ferati.

Por, në seancën e 9 tetorit nuk do të jenë të pranishëm deputetët e PDK-së.

Nënkryetari i kësaj partie, Adem Grabovci tha për lajmi.net se deputetët e PDK-së akoma nuk kanë marrë ftesë për seancë. Madje ai thotë se personi i vetëm kompetent për të thirrë të seancës, është kryesuesja e Kuvendit Flora Brovina.

“Ende nuk kemi ndonjë ftesë për caktimi e seancës. Deri tani nuk kemi marrë ftesë sepse ka qenë pushimi dhe nuk e di se a është thirrur, a është caktuar seanca”.

“Prej kujt vjen ajo ftesë. Normalisht se znj.Brovina si njeriu kompetent dhe e vetmja për ta caktuar seancën, absolutisht ne do të marrim pjesë”.

“Nuk jemi kompetent as ne as të tjerët për të thirrur seancën. Njeriu i vetëm kompetent për caktimin e datës së seancës është Brovina”.

Grabovci thotë se PDK pret që pas takimeve që presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka filluar me përfaqësuesit e partive politike, të gjendet një zgjidhje.

Ai thotë se vetëm pas një rezultati që do të dal nga takimet me Presidenten mund të takohen edhe me deputetët në një seancë, sepse nëse një gjë e tillë ndodhë paraprakisht, sipas tij, “do të provokohej” dhe “tensionohej” më shumë situata.

“Ne jemi të vetëdijshëm se është duke u zhvilluar një proces i shumëkërkuar nga të gjitha subjektet politike, qoftë të pozitës qoftë të opozitës, por edhe shoqëria civile dhe të tjerët. Ju jeni dëshmitarë se kemi kërkuar angazhimin e presidentes së vendit dhe tash ajo sapo është aktivizuar për të gjetur një zgjidhje”.

“Unë mendoj që është në interes të procesit është në interes të vendit që të presim epilogun apo rezultatin e kësaj iniciative të presidentes dhe pastaj normalisht ne duhet të takohemi për të bërë zgjidhje. Ne nuk jemi të interesuar për tu takuar dhe për të pasur provokim të situatës apo për rëndim të situatës edhe ashtu të tensionuar”, ka thënë Grabovci për lajmi.net.