Vjosa Osmani paralajmëron protestë më 7 shtator, ditën kur Thaçi takohet me Vuçiqin

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani po e cilëson si të pamjaftueshme rezolutën të cilën Kuvendi pritet ta votojë në një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me korrigjimin e kufijve.

Lajme

28/08/2018 22:10

Osmani ka shkruar në rrjetin social facebook se rezoluta nuk do “ta ndalë Thaçin drejt aventurave të rrezikshme”.

“Rezoluta e Kuvendit të Kosovës do të jetë e rëndësishme, por me gjasë e pamjaftueshme, për të ndalur aventurat e rrezikshme të Thaçit në dëm të sovranitetit të vendit. Thaçi mbanë titullin e kampionit për shkelje të Rezolutave të Kuvendit”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Tutje Osmani ka paralajmëruar një protestë masive dhe paqësore më 7 shtator, pikërisht në ditën kur Thaçi do të takohet me Vuçiqin.

Sipas saj, vetëm në këtë formë do të dëshmohej se Kosova është e pandashme.

“Prandaj, më 7 shtator, kur Thaçi udhëton për Bruksel për të bërë edhe një hap tutje drejt ndarjes së Kosovës, ne qytetarët e Kosovës, do të duhej të protestonim paqësisht, por masovikisht, për t’i dëshmuar atij dhe kujtdo tjetër që Kosova është një dhe e pandashme”, ka shkruar Vjosa Osmani.

Pikërisht për deklaratat e Thaçit në lidhje më kufijtë, Kuvendi do të mblidhet më 4 shtator në një seancë të jashtëzakonshme . /Lajmi.net/