Vjosa kërcënon, vazhdon evakuimi

Reshjet e shiut pothuajse kanë pushuar, por në shumë zona të Shqipërisë vazhdon të jetë situatë dramatike. Policia, ushtria dhe emergjencat civile po vijojnë operacionet e shpëtimit në disa zona të Shqipërisë, sidomos në atë jugore, ku lumenjtë Semani dhe Vjosa kanë përmbytur zona të tëra rreth qyteteve Fier dhe Vlorë.

Lajme

02/02/2015 15:17

Mijëra persona janë larguar nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që situata më dramatike duket se aktualisht është në fshatin Darëzezë në Fier, por edhe në Novoselë.

Fatmirësisht asnjë person nuk ka humbur jetën nga vërshimi i ujërave, por dëmet në shtëpi, bujqësi e blektori janë të jashtëzakonshme.

Prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha u shpreh se dëmet materiale janë tepër të mëdha, pa dhënë shifra zyrtare.

“Megjithatë, për ne rëndësi ka jeta e njerëzve dhe kemi marrë masa për evakuimin e banorëve aty ku gjendja është me e rëndë, si dhe furnizimin me ushqim dhe ujë të pijshëm në zona të tjera”.

Prefektja sqaroi se gjendja e emergjencës është në të gjithë qarkun dhe të gjithë strukturat e shtetit janë në këmbë për të përballuar situatën.

Ndërkohë edhe pse reshjet pothuajse kanë pushuar, situata në Darëzezë është ende problematike, pasi prurjet e ujit vijojnë duke sjellë dëme në zonë. Reshjet e shiut kanë rritur nivelin e lumit Vjosa që ka arritur në shifra rekord në këto 50 vitet e fundit.

Në fshat paraditen e sotme mbërritën ekipet e emergjencave civile, raporton Top Channel.

Po ashtu kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt zonave të përmbytura për të parë nga afër gjendjen e krijuar.

Në prononcimin e tij të parë për situatën e krijuar nga përmbytjet në jug të vendit, kryeministri nëpërmjet një mesazhi në Tëitter thotë se “Moti i tërbuar na ka vënë përpara një sfide të rëndë, por të gjitha strukturat po përgjigjen me efikasitet të plotë”, ka thënë Rama duke paralajmëruar që gjatë ditës do të vizitojë zonat e përmbytura.