Vjosa del nga shtrati, përmbyten shumë toka dhe shtëpi

Lumi Vjosë raportohet të ketë dalë nga shtrati rreth orës 01:00 të ditës së diel, duke shkaktuar përmbytje masive kryesisht në toka bujqësore.

Lajme

01/02/2015 10:32

Sipas Shtabit të Emergjencës janë përmbytur rreth 300 ha tokë bujqësore në fshatrat Kashisht, Kafaraj, Cerven, Sheq Musalar dhe Ferras.

Dëme janë shkaktuar edhe në ushqimin e bagëtive. Janë përmbytur edhe pajisjet elektroshtëpiake në disa shtëpi të ndërtuara pa leje, shumë pranë shtratit të lumit.

Sipas prefektit të Fierit, Xhevit Bushi, i cili ka qenë gjatë natës në zonat e përmbytura, Shtabi i Emergjencës ka marrë të gjitha masat për parandalimin e çdo të papriture.

Situata në jug të vendit, kryesisht në Përmet, Tepelenë, Gjirokastër dhe në zonën përreth lumit Vjosa, ka qenë e rënduar për shkak të reshjeve që kanë zgjatur gjatë gjithë ditës së shtunë.

Në ndërkohë, si raporton Top-Chennel, në juglindje dhe verilindje të Shqipërisë problem janë bërë reshjet e borës. Për këtë arsye, shumë nga akset që të çojnë drejt Korçës apo edhe më tej janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Probleme të ngjashme ka edhe në zonën verilindore të vendit, edhe pse aty reshjet nuk janë të të njëjtit intensitet.

Përmbytje të shtëpive nga reshjet e shiut ka në disa fshatra të Vlorësa, pastaj në Berat, ku janë përmbytur 30 shtëpi, ndaj forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit kanë nisur sot në orën 9:00 të evakuojnë menjëherë banorët nga shtëpitë e tyre.

Qyteti i Gjirokastrës ka gdhirë sot pa energji elektrike, pasi shiu ka përmbytur edhe nënstacionin elektrik të qytetit. Në Gjirokastër uji ka vërshuar në shumë lagje dhe në shtëpi, si në Dunavat, Gërhot apo “11 Janari”.

Në disa fotografi që ka publikuar në Facebook kryetari i Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jace, shihet qartë se lumenjtë janë rritur dhe janë duke dalë nga shtrati i tyre, transmeton KosovaPress.

Ai thotë se kjo është përmbytja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri.

“Reshje të jashtëzakonshme. Në qytet ka kaluar dy metra mbi rrugën që të çon te guri qytetit!. Një thirrje shume seriozë për të gjithë banoret e Tepelenes, Fierit dhe Vlorës që janë pranë lumit të marrin masa se përmbytja është më e madhja që ka ndodhur ndonjëherë”, ka shkruar Jace.