Vjenë, Rama: Ballkani i bashkuar garanton stabilitet, Vuçiq: Nuk ka tensione Shqipëri-Serbi

Ditën e sotme ka nisur punimet samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Në këtë tryezë bisedimesh, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcolli mesazhin e rëndësisë së bashkëpunimit mes liderëve të rajonit, në mënyrë që të garantohet stabiliteti në rajon.

Lajme

26/08/2015 21:36

Rama tha se Ballkani ka nevojë për një qasje strategjike nga Evropa. Po ashtu në fjalën e tij në Samitin e Vjenës, kryeministri Rama ka kërkuar që të hapen negociatat me BE, për të treguar të gjithëve se Shqipëria ndodhet në Evropë. Duke u ndalur te bashkëpunimi me Serbinë, kryeministri Rama tha se takimet me Vuçiq janë kthyer tashmë në rutinë dhe ajo që pritet është së çfarë do arrihet nga këto takime.

“ Unë mendoj se nuk është e nevojshme të themi çfarë kemi bërë deri më tani në vendet tona, por të bashkohemi për të garantuar stabilitet në rajon, ndryshe nuk mund të bëjmë asgjë. Ne s’jemi magjistarë për të bërë ato që duam, ndaj kemi nevojë të bashkëpunojmë. Kemi ecur përpara për të qenë bashkë me Vuçiqin, dhe takimet tona tani shihen me qëllime të mira. Të rinjtë tanë nuk kanë kohë të presin për 1-2 dekada, por nuk mund të bëjmë gjithçka tani. Nuk mund të realizojmë menjëherë modelin e Gjermanisë. Ne duhet te ecim përpara dhe të hapim negociatat, dhe kështu t’u tregojmë të gjithëve se ndodhemi në Evropë. Ne jetojmë me rregulla, dhe zbatimi i tyre bën që të ecim para”, u shpreh mes të tjerash kryeministri Rama.

Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vu çiq është ndalur në marrëdhëniet mes vendit që ai drejton dhe Shqipërisë, duke i cilësuar ato të qeta, dhe për këtë ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Vitin e kaluar u përballem me shumë përmbytje u përballem me konsolidimin fiskal. Besoj se ishim të parët në rajon që filluam me ndërprerjen e pensioneve pasi donim të kishim rimëkëmbje. Por tani besoj se rezultatet janë të kënaqshme. Mund të them që popullsia serbe vazhdon që të jetojë mirë. Është kaluar situata e vështirë. Jemi përpjekur ta ulim papunësinë. Nga ana tjetër i jam mirënjohës mikut tim Edi Rama, pasi është treguar mbështetës për të ulur tensionet. Më në fund ne nuk kemi pas tensione mes serbëve dhe shqiptarve, dhe kjo është shumë domethënëse dhe inkurajuese për ne dhe gjithë rajonin e Ballkanit”, tha kreu i Qeverisë serbe.

Ndërsa komisioneri Han nga ana e tij është shprehur se që të gjithë në radhë të parë jemi evropianë dhe kur i referohemi BE nuk është vetëm çështje ekonomike, por angazhim për një mënyrë jetese. Sipas tij nuk është e rëndësishme nëse je apo jo pjesë e BE, por të arrish në nivelin e duhur me standardet e BE./KP