Vizitat si ndërhyrje

Nëse vijnë në Kosovë, Dacic dhe liderët tjerë serbë nuk do t’i pyesin serbët e Kosovës a kanë ujë, a kanë kanalizim, a kanë punësim. Azem Vllasi thotë se liderët e Beogradit vijnë për ta përkrahur një subjekt politik, e për t’i kërcënuar disa të tjerë.

Lajme

09/10/2013 06:01

Nuk do të durohen pa bërë fushatë.

Ndalesa që Kryeministri Hashim Thaçi ia bëri homologut të tij serb Ivica Dacic për të marrë pjesë në një tubim paazgjedhor të Listës Qytetare Serbe në Shtërpcë, javën e kaluar, qe bërë papritmas temë e nxehtë diskutimi.

Aq shumë sa nga inati Dacic kërcënoi se do t’i braktisë negociatat e ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së Catherine Ashton.

Por, një takim i mbajtur të hënën në Bruksel duket se e ktheu situatën aty ku ka qenë. Dacic dhe liderët tjerë do të lejohen të vijnë në Kosovë edhe gjatë kohës së fushatës zgjedhore, por nuk dihet ende në çfarë kushtesh.

Për Azem Vllasin, gjërat janë pak të paqarta sa i përket rezultatit të arritur nga ky takim.

Por, ai kundërshton çdo përfshirje të liderëve serbë në fushatën zgjedhore të Kosovës. Sepse, një gjë e tillë, sipas tij, do të përbënte ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e një shteti tjetër.

“Nuk ka ndryshe si të jetë përveç si pjesëmarrje e tyre e drejtpërdrejtë në fushatën zgjedhore. Dhe, pjesëmarrja e zyrtarëve të shtetit tjetër, në fushatën zgjedhore dhe atë për zgjedhjet lokale në shtetin e Kosovës, është absolutisht e papranueshme”, thotë në një intervistë për lajmi.net, lideri i dikurshëm komunist i Kosovës, tani avokat, Azem Vllasi.

“Zyrtarët serbë, domethënë politika zyrtare serbe, këtu në Kosovë është rreshtuar pas një formacioni serb që garon për zgjedhje, ajo është Lista (Qytetare) Serbe”.

“Aq më tepër është e papranueshme, madje skandaloze, sepse ata nuk vijnë këtu që t`i thërrasin serbët për të dalë në zgjedhje dhe të flasin për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, por anojnë për një formacion dhe në një mënyrë i diskualifikojnë, i diskriminojnë, mos të themi i dënojnë, ata serbë të Kosovës të cilët deri tani në një mënyrë janë integruar në realitetin kushtetues politik të Kosovës”.

Vllasi thotë se liderët serbë nuk vijnë në Kosovë për t`i pyetur serbët se si po jetojnë, a kanë probleme me ujësjellësin, kanalizim apo me rrymën.

“Por, ata po vijnë për t’u bërë pjesë e fushatës zgjedhore dhe të anojnë dhe po marrin pjesë në fushatën zgjedhore”.

“Nëse ata vijnë për të marrë pjesë (në fushatë) i bie që ata kanë hise politike në Kosovë sa edhe liderët tanë”.

“Absolutisht është e paimagjinueshme, që zyrtarët serbë të vijnë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, t’i vizitojnë mjediset serbe dhe të flasin për ujin e ndotur apo për ndotjen e ambientit, e jo për zgjedhje”.

“Ata vijnë që të bëhen pjesë dhe faktorë, aq të lirë në fushatën zgjedhore, dhe sigurisht që do të anojnë për Listën e vet”.

Vllasi thotë se është pozitive për Kosovën fakti që zgjedhjet lokale do të mbahen edhe në komunat veriore, për herë të parë pas përfundimit të luftës.

Por, paralajmëron rrezikun që edhe ky zhvillim mund të minohet nga ana e Beogradit.

“Ata në secilin moment mund të shtrojnë ndonjë kusht të ri, të kushtëzojnë diçka dhe të kërcënohen me mospjesëmarrje në zgjedhje deri më 3 nëntor kur është dita e zgjedhjeve, të shantazhojnë e të kërkojnë diçka”, thotë Azem Vllasi për lajmi.net.