Vizita në Gjilan e Kryeprokurorit të Shtetit shtyn gjykimin për marrje të ryshfetit

Një vizitë e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kryeprokurorëve të prokurorive themelore në Kosovë, realizuar të martën në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka bërë që të dështojë një seancë e korrupsionit në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Lajme

20/02/2018 18:39

Kjo pasi që prokurori i rastit, Arben Kadriu, ka qenë nikoqir i kësaj vizite, në mungesë të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku.

Si pasojë e mungesës së prokurorit Kadriu, ka dështuar të mbahet gjykimi për marrje të ryshfetit ndaj inspektorit të ndërtimit në Komunën e Gjilanit, Baki Azemi.

Për mungesën e tij në seancën e së martës, prokurori Kadriu, kishte njoftuar kryetarin e trupit gjykues Zydi Hazirin, se në Prokurorinë Themelore në Gjilan, do të jetë në vizitë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kryeprokurorët e prokurorive themelore në Kosovë.

Pas kësaj, seanca që ishte paraparë të mbahej në ora 10:00, është shtyrë për në ora 14:00.

Por, prokurori Kadriu, as në ora 14:00 nuk ka arritur në seancë dhe për këtë gjykatësi Haziri, ka njoftuar se prokurori përmes telefoni e ka njoftuar se ende është i zënë me vizitën e mysafirëve.

Ndërsa, në mungesë të prokurorit gjykatësi Haziri, e ka shtyrë seancën për 22 shkurt 2018, në të cilën pritet të merret në pyetje i akuzuari Azemi.

Kjo seancë, për mungesën e prokurorit Kadriu, kishte dështuar të mbahej edhe në janar të këtij viti, pasi ai kishte njoftuar se ishte në një udhëtim zyrtar jashtë shtetit.

Ndryshe, sipas prokurorisë, i akuzuari Baki Azemi, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Gjilanit, më 07 dhjetor 2013, me dashje dhe me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror për vete, ka marrë ryshfet nga i dëmtuari SabitQerimi.

Sipas aktakuzës, ky veprim është bërë pas një marrëveshje paraprake që të mos pengojë kryerjen e punëve ndërtimore të objektit në rrugën “7 Shtatori” në Gjilan, objekt të cilin i dëmtuari kishte filluar ta ndërtonte pa leje, kinse me qëllim të sigurimit të planit ideor duke pranuar shumën e të hollave në vlerë prej 500 euro dhe pas disa ditësh edhe 100 euro të tjera, sipas shumës së dakorduar dhe të cilat pas shiritimit të objektit në fjalë të dëmtuarit ia kthen 600 euro me arsyetimin se “kjo punë është publikuar”./Betimiperdrejtesi/