Vizita mjekësore për nxënësit e klasës së parë deri në të pestën

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Socialë na bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, me Drejtorinë Komunale të Arsimit si dhe drejtorët e shkollave fillore, kanë filluar vizitat sistematike mjekësore për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë.

Lajme

12/05/2014 12:04

Komuna e Prishtinës njofton se ky aktivitet po organizohet si pjesë e zbatimit të masave preventive shëndetësore, dhe ka për qëllim zbulimin e hershëm të anomalive, deformiteteve dhe sëmundjeve specifike për moshën. 

Një kontrollim i tillë i nxënësve do të monitorojë rritjen dhe zhvillimin e tyre, si dhe gjendjen e tyre shëndetësore në vazhdimësi. Trajtimi dhe korrigjimi i hershëm i këtyre ndryshimeve mundëson që të intervenohet me kohë dhe që fëmija të rritet i shëndetshëm dhe pa pasoja, thuhet në njoftimin e Komunës. 

Komuna e Prishtinës falënderon të gjithë mjekët si dhe stafin e shkollave për gatishmërinë e treguar në organizimin e këtij aktiviteti, dhe pret bashkëpunimin edhe të prindërve për realizimin sa më efikas të këtyre vizitave.