Vizita e Mogherinit në Ballkan

Mogherini nuk ka thuaja fare ‘karrota’ në çantën e saj për kryepolitikanët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe për më keq, nuk ka as atë ‘shkopin’ (apo ‘stupcin’, me këtë shqipen kosovare), e kërcënimit për këta politikanë.

Lajme

02/03/2017 13:24

Kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini, teksa po qëndron në këto anë të Evropës gjeografike, me pretendime për tu bërë politikisht Evropë dhe ligjësisht, pjesë e Bashkimit Evropian  (cilidoqoftë ai), nuk ka mundur të paramendojë lajm më të keq se ky që i mbërriti nga Shkupi. Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, bëri me dije të mërkurën, me 1 mars, që ai nuk e ka ndërmend ta nominojë Zoran Zaevin, liderin e SDSM-së  (Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë), për Kryeministër të ardhshëm të Maqedonisë, edhe pse ai i ka mbledhë nënshkrimet e shumicës parlamentare.
Në justifikimin e pastër politik, krejtësisht të njëanshëm, Ivanov konstaton që krijimi i një Qeverie me Zaevin Kryeministër dhe me me partner të tij partitë shqiptare të këtij shteti, do ta rrezikonte vet ekzistencën e këtij shteti, sepse lideri opozitar maqedonas ka përfillë kërkesat e politikanëve shqiptarë, të cilat pos të tjerash, mëtojnë që gjuha shqipe, të cilën e flet çdo i katërti qytetar i këtij shteti, të bëhet gjuhë zyrtare në Maqedoni.
Ivanov ka ndërmarrë këtë hap përkundër rekomandimeve të qarta të autoriteteve politike dhe ushtarake të Brukselit  (Hahn dhe Stoltenberg), që demokracia nënkupton pikërisht të drejtën që shumica parlamentare, e cila gjithmonë reflekton vullnetin shumicë të qytetarëve të një vendi, ta bëjë Qeverinë e një vendi.
Ivanov pra në fakt, çfarë më së paku mund të thuhet në këtë rast, ka pezulluar demokracinë. E suspendimi i demokracisë në një shtet që pretendon që është demokratik, nuk ka si të mos ketë domethënien e rrezikimin të vlerës themelore të këtij shteti.
Kundërshtimi i ligjshmërisë demokratike është kundërvënie ndaj themelit të Bashkimit Evropian.
S’do mend që Mogherinit nuk do t’i ndahet ‘kokëdhimbja’ gjatë turneut të saj diplomatik në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, i cila ka nisë me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe do të përfundojë të shtunën, me 4 mars, në Kosovë.
Falë një treni të çmendur dhe të një muri të marrë, dy ‘produkte vendore’ të politikës zyrtare të Serbisë karshi Kosovës, Mogherini dhe instancat më të larta të BE-së, u detyruan të kthejnë shikimin dhe vëmendjen e tyre kah Jugu i kontintentit, në kohën kur ditë dhe natë përqëndrimi i tyre ishte kah Perëndimi i BE-së, apo, kah SHBA-ja, për shkak të fillimit të punës së Administratës së Presidentit Trump.
Mogherini dhe kryepolitikanët evropianë kuptuan me të shpejtë që Brukseli është aktualisht i vetmuar në përgjegjësinë e tij për shtetet e Ballkanit Perëndimorë, ku ka gjithçfarë politikanësh ‘kreativ’, të cilët madje më mirë se ata ‘mirren vesh’ për hapat e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë karshi Evropës dhe Ballkanit. Aventurat e djeshme politike të Beogradit dhe të Banja Llukës  (në Bosnjë dhe Hercegovinë, të Millorad Doikut, liderit të Republikës Serbe), dhe këto të sotme të Shkupit,  nuk kanë si të mos ndërlidhen me interpretimet e politikanëve rajonalë për ndryshimet e Washingtonit zyrtar ndaj kësaj ane të Evropës, dhe për kontinunitetin e politikës së Moskës zyrtare ndaj Ballkanit Perëndimor.
Për këtë shkak, duket që Zonja Mogherini ishte e detyruar t’i vizitojë të gjitha gjashtë shtetet e ‘shpresës së fundit’ për anëtarësim në BE, për të mbajtë gjallë opsionin e përfshirjes së këtyre shteteve në BE, në kohën kur politikisht, për shkak të zhvillimeve të brendshme tek shumë prej këtyre shteteve, ato janë më larg se kurrë Brukselit, sepse po e kontestojnë vlershëmirinë e demokracisë-liberale, e cila shënon themelet e BE-së.
Por në anën tjetër, Mogherini nuk ka thuaja fare ‘karrota’ në çantën e saj për kryepolitikanët e këtyre shteteve, dhe për më keq, nuk ka as atë ‘shkopin’  (apo ‘stupcin’, me këtë shqipen kosovare), e kërcënimit për këta politikanë. Ndrsa shumica prej tyre janë mësuar dhe funksionojnë si politikanë, vetëm me këtë mekanizmin pavllovian që njeh përfitimin apo dëmtimin personale, në karierën e tyre, gjatë takimeve të këtij fornati.
Shumica e këtyre politikanëve pastaj në origjinën e tyre kanë qenë (dhe janë), popullista që manipulojnë me ndjenjat e qytetarëve të reduktuar vetëm në votues  (ky është identiteti i vetëm i tyre), ndërsa tani, edhe në zemër të Evropës, ka ardhë koha e popullizmit më të egër dhe më të dëmshëm të mundshëm.
Mogherini pra nuk e ka më as atë ‘fuqinë e butë’ tradicionale evropiane për t’i bindur këta politikanë të ndërrojnë bindjen dhe të bëhen evropianë të mirëfilltë.
Por natyrisht, Mogherinit nuk i mbetet gjë tjetër pos ta bëjë të veten, me shpresë që popullizmi evropian do të jetë një dukuri kalimtare.

*Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net