Vizita e Edi Ramës në Beograd do të ishte poshtëruese

Vizita e Edi Ramës në Serbi pas ngjarjeve që ndodhën në stadiumin e Partizanit në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, do të ishte e poshtëruese për shqiptarët.

Lajme

16/10/2014 20:31

Kështu ka thënë për lajmi.net njohësi i politikave të rajonit të Ballkanit, Azem Vllasi, duke shtuar se skenat që u panë gjatë ndeshjes së futbollit në Beograd u ngjanin atyre të periudhës së nazizmit në Gjermani.

Vllasi tha se ngjarjes së 14 tetorit po i kontribuojnë edhe deklaratat e zyrtarëve serb, duke potencuar atë të presidentit Tomislav Nikoliq, i cili fyeu rënd Shqipërinë duke e cilësuar atë si vend të paaftë për të qenë shtet normal.

Ai tha se në këto rrethana politike të krijuara pas ndeshjes nga deklaratat e zyrtarëve serbë, vizita e kreut të qeverisë së Shqipërisë, do të ishte e panevojshme dhe poshtëruese për vet shqiptarët.

“Jam thellë i bindur se Edi Rama në këtë termin të caktuar nuk duhet të shkojë për vizitë në Beograd. Ngjarjet që kanë ndodhur në Beograd lidhur me ndeshjen futbollistike, aq shumë e kanë ndryshuar ambientin politik sa që ajo vizitë nuk do të sillte asnjë dobi dhe do të ishte e dëmshme për vet Shqipërinë dhe Edi Ramën”.

“Ne në Beograd, në këtë ndeshje pamë një shfryrje kundër shqiptarëve përmes kombëtares shqiptare pra edhe kundër Shqipërisë. Ato skena i ngjanin kohës së nazizmit në Gjermani, ku nazistët vërsuleshin ndaj hebrenjve”.

Thirrjet e tifozëve serbë për të vrarë shqiptarët dhe deklaratat e kreut të këtij shteti, sipas Vllasit, tregojnë për klimën antishqiptare e cila po vazhdon të mbizotërojë në shoqërinë serbe.

“Gjithë kjo urrejtje, gjithë kjo albanofobi e shprehur prej nivelit të kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikoliq e deri tek ata tifoz që thërrisnin për vrasjen e shqiptarëve në stadiumin e Partizanit, flasin qartë se klima në Serbi është e tillë sa që një vizitë e tillë do të konsiderohej, jo vetëm e panevojshme që nuk do të sillte asnjë rezultat në raportet ndërshtetërore, por për anën shqiptare bile do të ishte pak poshtëruese”.

Por, nëse Edi Rama viziton Beogradin më 22 tetor të këtij viti, Azem Vllasi mendon se ai gjatë vizitës duhet që haptazi të reagojë kundër deklarimeve të Nikoliq.

Gjithashtu, sipas Vllasit, Rama në Beograd duhet të kërkojë njohjen për pavarësinë e Kosovës dhe për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Nëse Edi Rama nuk vepron kështu, sipas Vllasit, kjo vizitë nuk do të sjellë asnjë të mirë për shqiptarët.

“Nëse do të shkojë, mendoj se ai duhet haptazi në Beograd zyrtarisht t’i shpreh qëndrimet të cilat i shprehu sot përmes një prononcimi”.

“Të kërkojë që Serbia ta pranojë Kosovën dhe t’i normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore edhe me Kosovën. Duhet ashpër të reagojë kundër deklaratës zyrtare pas ndeshjes, deklaratës së Nikoliqit i cili thotë se Shqipëria për dekada apo dhe shekuj nuk do të bëhet shtet normal, ngase vuan nga antiserbizmi”.

“Të shkojë Edi Rama në Beograd e decidivisht të mosshprehej kundër deklaratave dhe pozicioneve të tilla zyrtare të Serbisë ndaj Shqipërisë, nuk do të ishte mirë”, tha Azem Vllasi për lajmi.net.