Viza Gjermane, me kushte

Ambasadori Peter Blomeyer e sheh si pozitive ardhjen e zyrtarëve nga Serbia në Kosovë, për t’u bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje, me kusht që të mos interferojnë në fushatë. A do të jetë ky edhe epilogu i sotëm i takimit Thaçi-Dacic?

Lajme

07/10/2013 13:58

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, thotë se do të ishte mirë që politikanët nga Serbia të vijnë në Kosovë dhe nga këtu t’u bëjnë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Por, me një kusht. Që ata të mos interferojnë në fushatën zgjedhore.

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë qëndrimin e tij për mosmarrëveshjet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit e bëri të ditur për lajmi.net, gjatë një debati të organizuar në Institutin ISPE për ‘Zgjedhjet në Gjermani dhe ndikimi në Ballkan’.

“Kjo pyetje nuk lidhet drejtpërsëdrejti me zgjedhjet gjermane. Kjo pyetje më duket se do të diskutohet sot në Bruksel.”

“Unë, sa kam informacion, një kërkesë që ka bërë Dacic për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore në Shterpcë, është refuzuar. Të gjitha kërkesat tjera të cilat do të vijnë në të ardhmen, do të trajtohen në bazë të rregullave ekzistuese”.

“Do të sugjeroja të mos ekzagjerohet ky problem. Në përgjithësi, mendoj se do të ishte gjë e mirë që politikanët serbë të vijnë në Kosovë dhe të inkurajojnë serbët që të marrin pjesë në zgjedhje, atëherë kur kjo është e nevojshme”.

“Mirëpo, ata nuk duhet të marrin pjesë në fushata të partive të caktuara politike”.

Por, a do të lejonte sistemi gjerman, që një President nga një vend tjetër, të marrë pjesë në fushatën zgjedhore në Gjermani, në përkrahje të një partie të caktuar politike atje?

Ambasadori Blomeyer thotë se e ka të qartë destiancionin e pyetjes.

“Natyrisht, asnjë vend nuk i dëshiron Kryeministrat nga një vend tjetër të marrin pjesë në fushata zgjedhore për një parti të caktuar. Por, kjo po ndryshon. Ne e kemi pasur këtë më parë në Gjermani dhe Francë, për shembull, kur Partia Socialiste e Francës dëshironte t’i ftonte social-demokratët gjermanë që të flisnin në fushatë”.

“E njëjta vlen edhe për partitë konservative. Është një diskutim nëse kjo është e mirë apo jo. Kjo kontribuon në krijimin një publiku europian apo një sistem partiak europian, i cili reflekton në Parlamentin Europian. Është një çështje që e kemi në diskutim në Gjermani dhe Francë, por mendoj se pyetja juaj drejtohet për diku tjetër”.

“Në këtë vend duhet të them se ajo që nuk më pëlqen aq shumë dhe që nuk është mirë, është ajo që po etnizohet gjithçka. Në politikë mund të punohet në mënyrë më sociale, më liberale, më shumë në të drejta të njeriut”.

“Çka është etniciteti?”.

Ambasadori Peter Blomeyer, i cili e shtron këtë pyetje para pjesëmarrësve të këtij debati, jep shpjegimin e tij, që e ndërlidh me një sugjerim për një bashkëpunim të mundshëm, ta zëmë mes partive liberale shqiptare dhe atyre serbe.

“Etcniciteti është e majta apo e djathta? Etniciteti nuk është kriter i mirë për politikë, por as për drejtësi. Dhe, ky rajon do ta bëjë një rrugë të gjatë derisa ta kuptojë këtë”.

“Unë do ta mbështesja vizionin që ekologjistët serbë dhe shqiptarë të jenë në një parti të njëjtë të gjelbër, ose të kemi liberalë shqiptarë dhe serbë. Duhet të luftoni për disa qëllime politike, por nuk duhet të lutfoni për etnicitet, sepse më e rëndësishme se etniciteti ëshët fakti se ne jemi qenie njerëzore dhe ky është themeli i BE’së”.

Për ta zgjidhur problemin e krijuar rreth pjesëmarrjes ose jo të zyrtarëve të Serbisë në fushatën zgjedhore në Kosovë, sonte në darkë do të takohen në Bruksel, Kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Dacic, e ku nikoqire e tyre do të jetë Shefja e Diplomacisë Europiane, Catherine Ashton.