Viti 2017 me rritje buxheti në kulturë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2017 do të ketë një buxhet rreth 33 milion euro. Krahasuar me vitin e kaluar, ku buxheti i ministrisë ishte rreth 20 milion, këtë vit, ka një rritje të buxhetit përreth 60 për qind.

ShowBiz

29/12/2016 10:22

Pjesa më e madhe e këtij buxheti është e planifikuar për shpenzimet kapitale, shkruan gazeta Zëri.

Vendin kryesor e zënë investimet në infrastrukturë që kapin shumën rreth 21 milionë, ndërkaq 7 milionë euro janë planifikuar për subvencione.

Për fushën e kulturës janë ndarë rreth tetë milionë euro, për programet: përkrahja institucionale për kulturë; përkrahja e kulturës dhe Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ndërsa fusha e trashëgimisë kulturore për vitin që vjen do të ketë një buxhet prej rreth 5 milionë euro për kategoritë: ruajtja, mbrojta e trashëgimisë kulturore dhe prezantimet dhe kërkimet për trashëgimi.

MKRS-ja vlerëson se përmes këtij buxheti do të arrihen objektivat e parapara dhe se do të realizohen shumë projekte kapitale dhe të natyrave të tjera në dobi të komuniteteve që merren me sport, kulturë, trashëgimi kulturore e rini, por edhe në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë.

Sipas këtij institucioni, rritja e buxhetit për MKRS-në dëshmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që fushat e kulturës, trashëgimisë, rinisë dhe sportit të mbesin ndër prioritetet e Qeverisë.

Gjithashtu, buxheti i sivjetmë mundëson që të realizohen politikat programore të planifikuara të ministrisë, duke shtuar edhe nevojën për përkushtim më të madh të të gjitha institucioneve të kulturës e trashëgimisë kulturore, të sportit e të rinisë, për një promovim, një paraqitje dhe një pjesëmarrje sa më cilësore të Kosovës përbrenda vendit, në rajon, por edhe në botë.

E kontaktuar nga gazeta Zëri, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Bunjaku-Agani, tha se shpreson që kjo rritje të ndikojë edhe në punën dhe zhvillimin e projekteve të Galerisë Kombëtare të Kosovës, ndonëse ndonjë veprim konkret nuk është ndërmarr ende.

“Lajmi se buxheti i kulturës është rritur për 60% është një lajm shumë i mirë për ne. Po shpresojmë se edhe neve si institucion, në bazë të kërkesës që kemi bërë, do të na rritet buxheti. Diçka konkrete nuk kemi ende, por besoj që kjo rritje do të ndikojë pozitivisht edhe në punën e Galerisë Kombëtare të Kosovës”, ka thënë Agani.

Në përkrahje më të theksuar mund të shpresojnë ndoshta filmbërësit, për shkak të sukseseve kinematografike të vitit që lamë pas.

Duke iu uruar sukses dhe duke i falënderuar për punën e mrekullueshme, kryeministri Isa Mustafa i pati premtuar drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharkut dhe artistëve, se kinematografia kosovare do të përkrahet edhe më fortë me buxhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan gazeta Zëri.

“Sot ju premtuam se do t’i përkrahim më shumë me buxhet nga Ministria e Kulturës, dhe se do të marrim edhe masa tjera lehtësuese sa i përket politikave fiskale, në mënyrë që gjatë tërheqjes së fondeve të jashtme ta kenë më lehtë, sepse kanë bërë një punë të rëndësishme edhe në tërheqjen e fondeve, edhe në bashkëpunimin me organizatat kinematografike dhe fondacionet tjera jashtë vendit”, pati thënë Mustafa.

Në takimin e fundvitit me gazetarë, drejtori Zharku tha se ky vit ishte i ngarkuar, por edhe me plotë suksese që ka ndryshuar pikëpamjen e të gjithëve për kinematografinë kosovare.

Në vitin në të cilin po hyjmë, udhëheqësi i Qendrës Kinematografike bëri të ditur se pritet të hyjë në fuqi edhe fondi i lehtësirave financiare. Ky është një fond i veçantë prej 1 milion eurosh, i premtuar nga Qeveria e Kosovës.

Kjo ngritje buxheti është mirëpritur edhe nga krijuesit, prodhuesit dhe dashamirët e librit.

Pronari i shtëpisë botuese “Buzuku”, Abdullah Zeneli, është shprehur kështu për këtë: “ Është një lajm i mirë, është një tregues i një përkujdesjeje qoftë të Qeverisë, qoftë të kreut të ministrisë që duhet përshëndetur.

Si njeri i fushës së librit, uroj që në gjithë këtë tërësi mbështetjesh, libri të ketë prioritetin e duhur, duke qenë se deri më tani ka pasur një ecje të mirë dhe rezultatet janë evidente”, ka thënë Zeneli i bindur se libri duhet të prezantohet edhe më denjësisht, qoftë në relacione kombëtare, qoftë në ato ndërkombëtare.

“U habita jo pak kur dëgjova se për Bienalen e Venedikut qenkan ndarë 150 mijë euro, kur për përfaqësimin e librit të Kosovës në Paris, Frankfurt, Tiranë dhe Prishtinë sivjet janë dhënë mezi 29 mijë euro”, ka shprehur habinë Zeneli, duke kërkuar që t’i kushtohet vëmendje më shumë librit të përkthyer dhe rrjetit të bibliotekave të shkollave.

Rritja e buxhetit për kulturë është një nga lajmet më të mira që i kam lexuar gjatë këtij fundviti, ka thënë për Gazetën Zëri, krijuesi Adil Olluri.

“Është lajm që jep shpresë se gjatë vitit që vjen do të ketë më shumë zhvillime dhe aktivitete kulturore. Vendi ynë ka nevojë për një jetë aktive kulturore, e munguar në vitet e fundit. Ky vend ka nevojë për një rilindje shpirtërore, që do të jepte shpresë se edhe këtu bëhen gjëra të vlershme”, ka thënë Olluri.

Ai shpreson se me këtë buxhet do të investohet edhe në promovimin e kulturës sonë jashtë vendit, për çka, sipas tij, na nevojitet një promovim i tillë, meqë imazhi ynë në botë nuk është edhe aq i mirë, andaj promovimi ndërkombëtar i kulturës shqiptare të Kosovës do të ndikonte drejtpërsëdrejti në përmirësimin e tij.