Viti 2016, viti i MAJLINDA KELMENDIT (FOTO)

Sakrificat e mëdha që shumë gjenerata bënë përgjatë viteve për të mbajtur gjallë sportin dhe federatat e ndryshme të sportit në Kosovë, kulmuan me sukses në vitin që po e lëmë pas, vitin 2016.

Sport

31/12/2016 22:05

Viti 2016 doli të jetë i destinuar për suksese të mëdha për të gjitha sportet në Kosovë.

Pranimi fillimisht në UEFA, dhe pastaj në FIFA i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në Lojërat Olimpike të Rios, ishin momentet kryesore të vitit.

Pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në fund të vitit 2014, i hapi rrugë shtetit më të ri në Evropë për pjesëmarrje në garat e mëdha që organizon ky institucion, përfshirë edhe garën më të rëndësishme, Lojërat Olimpike, ku pjesëmarrja në të është ëndrra e çdo sportisti.

Mos qenia pjesë e KON, pati bërë që Majlinda Kelmendi në vitin 2012 në Lojërat Olimpike të përfaqësojë Shqipërinë.

Mos përvoja, mosha e re dhe pjesëmarrja e parë patën bërë që vajza nga Peja të pësoi një humbje befasuese, duke u kthyer pa medalje nga Londra.

E në vitin 2016, kur gjitha këtyre momenteve jo të mira të përjetuara në vitin 2012 nga Majlinda iu shtohet edhe prezenca e parë e Kosovës në këtë garë të madhe, bënë që ajo të akumulojë energji, për paraqitjet më të mira të karrierës së saj para syve të gjithë botës, për t’iu dëshmuar edhe një herë se sportistët e Kosovës shumë padrejtësisht janë mbajtur të izoluar.

Për të qenë në formë të mirë në Rio, Majlinda dhe trajneri i saj Driton Kuka, kanë punuar shumë në muajt e parë të vitit 2016, për të mos i lënë asgjë rastësisë.

Majlinda tashmë kishte fituar të gjithë titujt e mundshëm në xhudo përjashtimisht një medalje të artë olimpike, dhe kjo bëri që ende pa filluar garat në Rio, ajo të jetë në qendër të vëmendjes së medieve botërore, duke e kthyer në personalitetin kryesor në ngjarjen kryesore sportive të vitit 2016.

Pas parakalimit historik në hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike, Majlinda Kelmendi mezi po priste të zbriste në tatam, për të shkruar historinë, histori e cila gjithmonë do t’u shpërbej gjeneratave të reja, se pavarësisht rrethanave dhe probleme, me punë arrihet gjithçka.

Kundërshtarja e parë e Majlindës në Rio, ishte zvicerania Elevyne Tschopp, të cilën krenaria e Kosovës e mposhti në hiq më pak se 25 sekonda.

Sfida e dytë e Majlindës kishte një rëndësi të veçantë. Ndaj Christianne Legentil nga Mauritiusi, xhudistja kosovare kërkonte fitore për të avancuar në gjysmëfinale, e poashtu për t’iu hakmarrë për humbjen në Lojërat Olimpike të Londrës së vitit 2012.

Pasi iu “hakmarrë” Legentilit, Kelmendi duhej të bëhej gati për sfidën ndoshta më të vështirë në Rio, Misato Nakamura, një xhudiste me shumë përvojë, me të cilën Majlinda nuk ishte përballur kurrë.

Por, realizimi i ëndrrës jo vetëm të saj, por i gjithë kosovarëve që në ato ditë të nxehta gushti kishin vëmendjen në Rio, bën që Majlinda ta fitoi edhe këtë betejë, për të siguruar finalen, dhe njëkohësisht medaljen e argjend, e cila do të ishte e para për Kosovën në Lojërat Olimpike.

Momenti kulmor tashmë kishte arritur, Majlinda Kelmendi kërkonte të shkruante historinë dhe të shpërblehej për gjithë ato djersë që kishte derdhur me vite.

Në finalen e madhe, Kelmendi mposhti italianen Odette Giuffrida, për të fituar medaljen e ARTË, të parën për Kosovën, në pjesëmarrjen e PARË në Lojërat Olimpike.

Mjaftoi përfundimi i finales që e gjithë bota për një moment të merrej me vashën nga Kosova.

Media të mëdha e të vogla botërore, u mahnitën nga historia e Majlindës dhe Kosovës, duke bërë raportime speciale për këtë histori, ndoshta ndër më të veçantat në historinë e Lojërave Olimpike.

Dhurimi i medaljes, ngritja e flamurit dhe intonimi i himnit të Republikës, ishte një tjetër moment emocionues, që bënë Majlindën dhe trajnerin e saj, Driton Kukën, të shpërthejnë në lot.

Dhurimin e medaljes ia bëri presidenti i KON-it, Thomas Bach, i cili ka merita të jashtëzakonshme për pranimin e Kosovës në institucionin që drejton.

Bach në vizitën që kishte pasur në Kosovë në vitin 2015, i pati premtuar Majlinda Kelmendit që do t’i dhuronte vet medaljen e artë nëse arrin ta fitojë në Rio, premtim të cilin e mbajti.

“Kujtoje se ti e kishte një ëndërr, tash e realizove atë. Kjo më bëri mjaft krenar. Kjo më bëri të qaj”, ishin fjalët që Bach ia tha tashmë kampiones olimpike në dorëzimin e medaljes.

Ishte i jashtëzakonshëm interesimi i medieve në Rio që të merrnin në intervistë Majlinda Kelmendin, e cila nuk ka hezituar aspak për të rrëfyer për karrierën e saj, vështirësitë me të cilat është përballur, situatën në Kosovë, luftën që ka kaluar populli i saj, dhe deri të shndërrimi në heroinë për gjeneratat e reja, për të dëshmuar se me punë arrihet gjithçka, edhe medalja olimpike.

“Kjo është krejt të cilën e kam ëndërruar. Medaljen ia dedikoj vendit tim, i cili ka dalë nga lufta në të cilin ka shumë fëmijë që kanë nevojë për bukë, ndërsa jemi edhe në kërkim të shumë të zhdukurve”, pati deklaruar Majlinda në një nga shumë deklaratat e bëra pas triumfit në Lojërat Olimpike.

Ashtu siç pritën kampionët, Qeveria e Kosovës u përkujdes që t’i bëjë një pritje speciale heroinës, pritje që deri në gushtin e vitit 2016 nuk iu kishte bërë asnjë sportisti.

Në pritje asaj i kishte dalë i pari i qeverisë, Isa Mustafa, për ta falënderuar dhe uruar për suksesin e arritur në RIO 2016.

“S’po di nga t’ia nis. Kemi punuar bashkërisht që të arrijmë këtë, të cilën shumë shtetet e kanë ëndërr të arrijnë. Kemi pasur shumë vështirësi, por ia arritëm t;ia dalim. Periudha më e vështirë ka qenë në vitin 2015, kur jam lënduar dhe kam menduar se nuk do të kthehem kurrë. Por ia arritëm dhe këtë vit jam shpallur kampione evropiane. Në lojërat olimpike vinë sportistë kulmor dhe për këtë jam përgatitur, Ballafaqimin më të vështirë e kam pasur kundër japonezen Nakamura, të cilën e kam pasur idol. Në finale e kam ditur se do të triumfojë”, pati deklaruar Majlinda e mbushur me emocione në aeroportin e ‘Adem Jashari’ në Prishtinë.

Për Majlindën ishte organizuar edhe një parakalim me autobus të hapur në sheshet e Prishtinës, ku mijëra qytetar kishin dalë në sheshe për t’i organizuar pritjen e merituar për kampionen olimpike.

Për ta mbyllur në fund, kujtojmë se për suksesin e Majlindës nuk la vend pa u folur.

Për të u fol edhe në Parlamentin e Serbisë, nga kryeministri i Aleksandër Vuçiç, derisa po diskutohej për Kosovën.

“Sa i përket zonjës apo zonjushës Kelmendi, kjo grua e re nuk ka bërë asnjë të keqe. Bravo, hallall i qoftë për këtë sukses, për talentin, aftësinë, shpirtin… Ia heq kapelën”, pati deklaruar Vuçiç.

Për këtë sukses, është folur edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Medalja e artë është një prej episodeve më emocionale në Japoni. Jo pse ajo ka mundur garuesen japoneze, në gjysmëfinale por për shkak se qytetarët e japonezë ishin shumë të prekur për arritjen e saj në kushtet jo aq të mira. I urojmë me gjithë zemër fitoren e kësaj medalje. Fitimi I kësaj medalje nga Majlinda Kelemendi ka bërë histori për Kosovën”, ka thënë përfaqësuesi i Japonisë në OKB-së./Lajmi.net/

viiti

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.